Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj e ka ripërsëritur qëndrimin se kjo parti nuk e përkrah Vjosa Osmanin për presidente. Hoxhaj thotë se presidenti i ardhshëm i Kosvës duhet të jetë i pavarur politikisht, por sipas tij Osmani është një nën diktatin e Albin Kurtit dhe do i shërbejë vetëm intresave të tij. Kreu i PDK është shprehur se Osmani nuk ëshët institucionaliste, por populiste.
“Presidenti i ardhshëm i Kosovës duhet të jetë i pavarur politikisht dhe i varur partiakisht. Znj. Osmani ka dëshmuar se është në diktatin total të kryeministrit Kurti dhe që do t’i shërbej vetëm interesave të tij dhe jo të interesave të shtetit të Kosovës. Vjosa Osmani nuk është institucionaliste, por populiste. Ajo ka dëshmuar se nuk e respekton protokollin dhe i mungon kultura minimale institucionale. Në kohën sa ishte ushtruese e detyrës së Presidentes, ajo përdorte protokollin dhe privilegjet e Presidencës në shërbim të agjendës së saj politike partiake, duke keqpërdorur edhe protokollin shtetëror madje për të nënshkruar marrëveshje koalicioni parazgjedhor”, ka thënë Hoxhaj.
Sipas tij, Vjosa Osmani nuk duhet të jetë presidente sepse është figurë jounifikuese dhe përçarëse. Hoxhaj thotë se Osmani e ka ndërtuar karrierën e saj si politikane përmes përçarjes në skenën politike të Kosovës dhe duke vepruar çdo herë kundër parimit të unitetit të vendit.
“Vjosa Osmani nuk është figurë unifikuese, por skajshmërisht përçarëse. Ajo tani e disa vite ka qenë politikane që karrierën e saj politike e ka ndërtuar përmes përçarjes në skenën politike të Kosovës dhe duke vepruar çdo herë kundër parimit të unitetit në vendin tonë. Ajo është kandidate partiake jo konsensuale. Vetëvendosja, si e para në zgjedhje, nuk po synon ta zgjedh Presidentin me konsensus, ashtu siç do të duhej të ishte në interes të vendit. Ajo është treguar e njëanshme. Gjatë kohës sa ka qenë ushtruesja e detyrës së Presidentes, znj Osmani nuk e ka përfaqësuar Institucionin e Presidencës si figurë mbi partiake, por përkundrazi ka përdorur zyrën e Presidencës për të krijuar një parti politike që t’i bashkohet listës së Vetëvendosjes për të garuar në zgjedhje”, është shprehur kreu i PDK-së.
Më tutje Hoxhaj tha se në rast se Osmani vihet në krye të Presidencës, sipas tij pushteti do të koncentrohej në duart e një partie. E kandidaturën e Osmanit për president, nga ana e VV-së, Hoxhaj e ka cilësuar si logjikë të bazuar në shantazh.
“Kandidatura e Vjosa Osmanit është propozim bazuar në logjikën e shantazhit. Në vend se mazhoranca e re të dilte me një kandidat që përfaqëson më së miri të gjithë shoqërinë dhe në dialog me opozitën meqë po i kërkon votat e saj, ajo kërcënon me një krizë të re që janë zgjedhjet e parakohshme. Zgjedhja e Vjosa Osmanit si presidente do ta vendoste Kosovën në një pozicion të rrezikshëm, ku Lëvizja Vetëvendosje do ta kishte de facto dhe de juro, pushtetin absolut, duke kontrolluar presidencën, legjislativin dhe ekzekutivin. Kosova do të udhëhiqej nga një politikan autoritar, siç është Kurti dhe partia e tij politike, duke shuar çdo mekanizëm tjetër të kontrollit dhe balancit, ashtu siç do të duhej të ishte në një demokraci parlamentare. Pra, PDK është kundër sistemit njëpartiak dhe e mbështet vetëm një kandidat konsensual për president”, ka thënë Hoxhaj.
Ndër të tjera Enver Hoxhaj deklaroi se PDK-ja është për një kandidat konsensual që do t’i shërbente shtetit.
“Ne jemi për një kandidat konsensual që do t’i shërbente shtetit, qytetarëve dhe shoqërisë. Nuk mendoj se është detyrë e jona që të dalim me një kandidat për president. I takon shumicës që ta udhëheq një proces të tillë”, deklaroi kreu i PDK-së.