Hrushovi-Titos në 55: Dorë të lirë
të bësh ç’të duash me Shqipërinë!

Hrushovi-Titos në 55: Dorë të lirë<br />të bësh ç’të duash me Shqipërinë!
TIRANE - E vërtetë apo jo, kjo mbetet akoma për t’u verifikuar, por shumëçka të bën ta besosh, duke pasur parasysh sjelljet dhe konfliktin e nisur me kohë nën rrogoz në marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike. Bëhet fjalë për një pretendim shumë serioz që na shfaqet si risi.

Hrushovi i thotë Titos gjatë vizitës që bën në Beograd në vitin 1955, në kulmin e muajit të mjaltit njëdekadësh mes Tiranës dhe Moskës, se Marshalli jugosllav paskësh dorë të lirë të bëjë çfarë të dojë me Shqipërinë; ta gllabërojë e ta shndërrojë në republikë jugosllave, pikërisht ashtu siç kishte bërë edhe paraardhësi i tij, Stalini vite më parë, kur gjatë bisedimeve me përfaqësuesit jugosllavë në Moskë më 9 janar 1948, kishte deklaruar: “Po, po, ta gëlltisni.

Dhe ne jemi dakord me këtë, ju duhet ta gëlltisni Shqipërinë dhe sa më shpejt aq më mirë” ( shih: Milovan Gjilas: “Si e njoha Josif Broz Titon”, Tiranë 2006). Në fakt, edhe thënia e Stalinit u bë e njohur për shumicën e popullit shqiptar shumë dekada më vonë, kur u botuan në shqip kujtimet e Milovan Gjilasit, ish-disidentit jugosllav që pohonte me kohë të vërtetën e “dashurisë së Stalinit për shqiptarët”, të cilën në fakt ai vetë më vonë, do ta përcaktonte më tepër si një manovër të Stalinit për të parë se çfarë mendonin jugosllavët për këtë çështje ( shih: “Zëri i Kosovës, 9 shkurt 1991).

Parë nga ky këndvështrim, tashmë kjo nuk përbën ndonjë çudi. Kështu që dokumenti që po sjellim sot për botim ( shih faksimilen e raportit), ku pretendohet për një deklaratë të Hrushovit në vitin 1955, përderisa nuk na është përcjellë akoma protokolli real i bisedimeve jugosllavo-sovjetike, mbetet në thelb një informacion me shumë vlera.

Gjithashtu vlera e këtij informacioni rritet edhe më tej po të kemi parasysh se nuk bëhet fjalë as për vitin 1960 e as 1961 ( shih: “Vorio-Epiri”, grekët kërkuan ndihmën e Kremlinit”, Thanas Mustaqi, Gazeta Ivestigim, 12 gusht 2012), kur dihet se raportet shqiptaro-sovjetike kishin marrë tatëpjetën, e na përcillen fakte që kanë të bëjnë me ndërhyrjet sovjetike në favor të çështjes së Vorio-Epirit, që e nevrikosën në kulm Enver Hoxhën, i cili përtej aspektit ideologjik, kishte zbuluar tashmë fytyrën e vërtetë të Hrushovit.

Ky i fundit, siç po kuptojmë, paskësh qenë i gatshëm, mëse një herë, të shiste territore shqiptare, në favor të njërit apo tjetrit fqinj të Shqipërisë. Kështu na dëshmon të paktën raporti i marrë nga arkiva e “Radios Free Europe” më 21 prill 1956, i cili i referohej shqetësimit të një diplomati grek, i cili dëshmonte se misioni italian në Shqipëri, kishte mësuar nga burimet e veta konfidenciale se Hrushovi gjatë vizitës në Beograd, në atë vit, nën shoqërinë e ish-kryeministrit sovjetik, Nikolai Bulganin, i kishte premtuar Titos se nuk do ndërhynte, nëse ai do të vendoste të bënte diçka në lidhje me Shqipërinë, përfshirë këtu edhe aneksimin e plotë.

Të duket disi e habitshme, pasi kjo është bërë në një kohë që marrëdhëniet mes rusëve e shqiptarëve në sipërfaqe dukeshin në kulmin e tyre, porse siç dihet, riafrimi sovjeto-jugosllav, mund të ketë prodhuar në fakt ndonjë “koncesion” nën zë që sovjetikët në emër të përmirësimit të marrëdhënieve dhe ripranimit të Jugosllavisë në Kampin Socialist, t’a kenë hedhur në tavolinë si opsion jozyrtar.

Gjithashtu, qysh në vitin 1959, nga një tjetër lider ish-komunist i kohës, besnik i Moskës dhe njëkohësisht mik i Hoxhës, mësojmë më shumë mbi reagimet e Hrushovit në lidhje me Shqipërinë, të cilat shprehin në një fazë të hershme “alergjinë” dhe refuzimin e tij kundrejt shqiptarëve, gjë e cila ndoshta nuk lidhej thjesht dhe vetëm me pozicionin e tyre orthodoks ideologjik ( shih: “Nga Gorbaçovi, te Ramiz Alia”, Pavllo Gjidede, Tiranë 2000).

Ne po e japim të plotë përmbajtjen e raportit të sipërpërmendur, shoqëruar edhe nga një raport tjetër, nga po i njëjti burim, i vitit 1953 ( shih: Raporti Nr. 3407/53, REF / Datë 30.03.1953), nga i cili marrim vesh lojërat e Titos, për të përfituar mbështetjen e shqiptarëve të Jugosllavisë e për ta përdorur kërcënimin e hershëm të Greqisë, si një bazë të mirë për qëllimet e veta, jo thjesht propadandistike.

                                                                    ***

ÇFARË DËSHMONTE ISH-DREJTORI I “ELEFTERIA”-S?

Në një letër të drejtorit të gazetës “Elefteria” të Athinës, publikuar më 21 prill 1956, Leon Maças, një ish-ministër grek, shkruan se: “Unë thjesht kam parë një artikull të nënshkruar nga Z. Mario Toscano, një diplomat italian dhe professor-këshilltar në Ministrinë e Jashtme italiane, i cili u shfaq në revistën gjysëmzyrtare “Studies of International Politics”.

PREKET EDHE INTERESI I GREQISË

Sipas këtij artikulli, prestigji i nënshkruesit të të cilit nuk ka nevojë për shumë koment, po përgatitet një grusht i madh shteti me pasoja në Ballkan,  që do të prekë edhe kufinjtë e Greqisë. Në bazë të informacioneve të cilat autori i artikullit ka marrë nga misioni italian në Shqipëri, Bulganini dhe Hrushovi, gjatë vizitës së tyre të fundit në Beograd, i kanë dhënë dorë të lirë e të plotë Titos në Shqipëri, duke përfshirë madje edhe aneksimin e saj dhe përfshirjen e këtij vendi në Republikën Federative Popullore të Jugosllavisë.

OK EDHE BULLGARËT DHE RUMUNËT

Për më tepër, sovjetikët vazhdimisht kanë marrë OK e bullgarëve e rumunëve për t’a vënë në jetë këtë fakt. Z. Maças pastaj nënvizoi rreziqet që vinin për Greqinë, nga një bllok i tillë sllav përgjatë thuajse gjithë vijës së saj kufitare, për të cilën ai këmbëngul se Bullgaria nuk do të hezitonte ta zgjeronte.

ANTANTË ANGLO-SOVJETIKE

Ai paralajmëron se si rezultat i bisedimeve aktuale në Londër, ka shumë mundësi që të krijohet një antantë anglo-sovjetike, e cila do t’i jepte BRSS Ballkanin si një zonë influence në këmbim të tërheqjes sovjetike nga Lindja e Mesme, dhe njohjen sovjetike të zonës që shtrihet aktualisht nën influencën britanike.

Greqia përballet me një rrezik të dyfishtë në një rast të tillë, sipas z. Maças: Jo vetëm fati i Qipros do të ishte jashtëzakonisht i cenuar, por presioni i një blloku të tillë sllav ndaj Detit Mesdhe përgjatë Maqedonisë greke, do të bënte që ajo ta ndjente veten të papërgatitur, siç ka ndodhur në të shkuarën, duke kujtuar Traktatin e Shën Stefanit, grushtin e shtetit të Rumelisë, invazionet e trefishta të viteve 1912, 1915 dhe 1941 etj.

Raporti Nr. 4623/56, REF / Datë 21.04. 1956

TITO: UNË E SIGUROJ INTEGRITETIN E SHQIPËRISË!

Gjatë elaborimit të Traktatit Ballkanik, Tito u përpoq të bindë grekët dhe turqit të bëjnë një deklaratë në lidhje me integritetin territorial të Shqipërisë kundër pretendimeve territoriale të bëra nga fuqitë e huaja. Ai jo vetëm që nuk pati sukses në këtë iniciativë të tijën, por ministri i jashtëm grek, Stefanos Opulos theksoi se pozicioni i qeverisë greke në lidhje me çështjen shqiptare, ishte përfshirë në deklaratën e bërë nga kryeministri Papagos, sipas të cilës, qeveria greke pret të trajtojë çështjen e aneksimit të Vorio Epirit (Jugun e Shqipërisë) nëpërmjet “mjeteve paqësore”.

GATIM ME DUART E SHQIPTARËVE

Në mënyrë që të mos prekë ndjenjat greke, Tito ka lejuar emigrantët politikë shqiptarë rezidentë në Jugosllavi, që të marrin iniciativën. “Komiteti Shqiptar i Prizrenit”, ka lëshuar një apel për qeverinë e Beogradit pak ditë më parë kundër pretendimeve të tilla greke, duke i kërkuar Jugosllavisë të mbrojë integritetin e Shqipërisë.

Tito do ta shfrytëzojë me zgjuarsi këtë rast për propagandën e tij mes shqiptarëve, duke u shfaqur kësisoj si i vetmi mbrojtës i integritetit shqiptar, pasi, sipas qëndrimeve të lëshuara nga propaganda: Anglo-amerikanët po mbrojnë pretendimet greke!. Dhe Tito do të kishte një sukses të përmbajtur në synimet e veta edhe përballë nacionalistëve shqiptarë, pasi në të njejtën kohë, ai u premton shqiptarëve territoret jugosllave të Kosovës e Metohisë ku jetojnë minoritetet shqiptare, nëse regjimi i Hoxhës do të rrëzohej.

ÇFARË NUK THOTË TITO?

Ajo çka ai nuk thotë, gjithsesi, është se ai do të ishte i gatshëm t’i lëshonte këto territore në dorë të shqiptarëve, vetëm nëse Shqipëria do të bëhej një republikë jugosllave.

Raporti Nr. 3407/53, REF / Datë 30.03.1953

ZHIVKOVI NË 1959: HRUSHOVI MË THA: ASNJË NDIHMË PËR SHQIPËRINË!

Kur u ktheva në vendin tim, nga vizita që bëra në Shqipëri, e informova menjëherë udhëheqjen bullgare. Baza e ushqimit, u thashë, është bujqësia dhe blegtoria. Theksova faktin se në qoftë se ne do të ndërhyjmë tek të tretët më të fuqishëm, diçka mund të bëjmë për Shqipërinë. Dhe vendosëm njëzëri që të informojmë Hrushovin përpara se sa të ndërmerrnim masat tona konkrete.

U përpoqa ta bindja Hrushovin se ishte e domosdoshme ta ndihmonim Shqipërinë. Edhe atëherë, edhe tani që kanë kaluar kaq e kaq shumë vjet, nuk mund t’ju them se cili ishte motivi i kundërshtimit, reagimi i tij kaq i egër dhe negativ. Sikur ta kafshonte gjarpëri ai tha: Asnjë ndihmë, asgjë, asgjë!, Lëreni mënjanë internacionalizmin për Shqipërinë”. Dhe ku e di unë se çfarë gjëra të tjera bubullonte.

Marrë nga “Nga Gorbaçovi, te Ramiz Alia”, Pavllo Gjidede, Tiranë 2000

HOXHA PËR HRUSHOVIN: JA ÇFARË I PREMTONTE AI VENIZELLOSIT!

Më 8 korrik 1960, Enver Hoxha kishte pritur ambasadorin sovjetik në Tiranë në vitet 1957-1960, Vasili Ivanoviç Ivanov (1905-1989), i cili e informoi rreth bisedës që kishte pasur Hrushovi me Sofokli Venizellosin. Gjatë kësaj bisede, ky i kishte propozuar Hrushovit se, për të përmirësuar marrëdhëniet me Shqipërinë, duhej që minoritetit grek në Shqipëri t’i jepej “autonomi”.

Hrushovi, mes të tjerash, i ishte përgjigjur Venizellosit, duke i thënë se dëshirën dhe propozimin e tij do t’ua transmetonte “shokëve shqiptarë”, pse me ta do të takohej në Bukuresht etj. Enver Hoxha i tha Ivanovit se e kundërshtonte qëndrimin që kishte mbajtur Hrushovi, se nuk ishte fare dakord me përgjigjen që ai i kishte dhënë Venizellosit dhe e konsideronte si përgjigje jo të një miku të Shqipërisë dhe aspak të përshtatshme për postin e lartë që kishte Hrushovi. Hoxha deklaroi se për kufijtë e Shqipërisë ai nuk lejonte askënd të diskutonte, qoftë ky edhe Hrushovi.

Fragment nga informacioni i KGB-së, 31.07. 1961. (Shih: “Vorio-Epiri”, grekët kërkuan ndihmën e Kremlinit”, Gazeta “Investigim”, 12 gusht 2012, Thanas Mustaqi)

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 30.03.2013

Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Pas ceremonisë së Ngritjes së Flamurit, Rama me Kurtin takojnë nipin e Ismail Qemalit, Nedin Vlora, tek sheshi i Flamurit

Pas ceremonisë së Ngritjes së Flamurit, Rama me Kurtin takojnë nipin e Ismail Qemalit, Nedin Vlora, tek sheshi i Flamurit