'Hua Kuo Feni, kryetar i Kinës ‘socialiste’, bisedonte shtruar në pallatin e Shahut, kurse SAVAK-u, vriste në masë popullin…'/ Ditari politik i Enverit në ’79-ën

'Hua Kuo Feni, kryetar i Kinës ‘socialiste’, bisedonte shtruar në pallatin e Shahut, kurse SAVAK-u, vriste në masë popullin…'/ Ditari politik i Enverit në ’79-ën

Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë, ku ndodhet dhe fondi personal, i ish-sekretarit të parë të Komitetit Qendror të PPSh-së, prej të cilave kemi shkëputur disa pjesë nga ditari i tij politik që i përket një periudhe kohore që nga fillimi i janarit të vitit 1979, e deri në shkurtin e 1982-it, ku në fokus të shënimeve të tij, janë ngjarjet e zhvilluara në Iran, ku forcat kryengritëse islamike të udhëhequra e të frymëzuara nga Ajatollah Kohmeini që arritën të rrëzonin nga froni Shahun Reza Phalevi, i cili duke pasur mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u detyrua që të largohej me avion nga vendi, duke mbërritur fillimisht në Kajro, ku u prit si mik personal nga Presidenti Janvar Sadat e gjithashtu, edhe ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Zhehrar Ford, (që ndodhej ato ditë për vizitë në Egjypt), për t’u larguar më pas drejt SHBA-ës. Pas rrëzimit dhe kargimit nga vëndi të Shahut Reza Palehvi, në fund të janarit të vitit 1979, në Tehran mbërriti Ajatollah Kohmeini, udhëheqësi shpirtëror fetar i iranianëve shiit, që thuhej se drejtonte revolucionin për rrëzimin e dinastisë së Palehëveve, që nga Parisi, ku qëndronte prej vitesh. Si i ka përshkruar të gjitha ato ngjarje, në ditarin e tij politik, udhëheqësi i Shqipërisë komuniste, diktatori Enver Hoxha, i cili midis të tjerash shprehet:  “Shahu, për t’u mbrojtur nga populli, kishte blerë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një sasi të madhe armatimesh nga më modernet që kanë shitur këto jashtë, kishte krijuar një ushtri prej qindra mijë vetash, me të gjitha llojet e armëve, me avionë, me tanke, me mitraloza, me raketa nga më modernet, kishte ndërtuar shumë aerodrome. Të gjitha këto, bëheshin për të mbrojtur pasuritë e amerikanëve në Iran dhe pasuritë e shahut, si dhe për ta mbajtur popullin në mjerim. Natyrisht, një gjendje e tillë, nuk mund të vazhdonte tërë jetën, megjithëse ndihma materiale ushtarake e politike Shahut, i vinin nga të katër anët e botës. Përveç të tjerëve, edhe perandoria e re kineze, i hodhi trëndafila Shahut. Vetë Hua Kuo Feni, shkoi në Iran dhe me përzemërsinë më të madhe, bisedoi për një: “miqësi madhe e të shëndoshë”, me Shahun e Persisë dhe i uroi jetë të gjatë këtij furnizuesi të fuqishëm me naftë, të miqve të mëdhenj të Kinës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kapitalizmit botëror”. 

 Ditari politik i Enver Hoxhës

REVOLUCIONI I POPULLIT IRANIAN TRIUMFOI

POGRADEC, E HËNË 30 KORRIK 1979

HUA KUO FENI, I KERKON NDJESE AJATOLLAH KHOMEINIT

Sipas një njoftimi të agjencisë ‘Rojter’ të datës 28 korrik, Hua Kuo Feni i kërkoi ndjesë Ajatollah Khomeinit për vizitën që i ka bërë Shahut vitin e kaluar. Dihet se para ardhjes së Hua Kuo Fenit në fuqi, në Kinën e Mao Ce Dunit e të Çu En Lait, venin e vinin princeshat e Iranit, motrat e Shahut, po kështu atyre u kthehej vizita nga Li Hsien Nieni e, udhëheqës të tjerë kryesorë kinezë që shkonin në Iran. Në ato kohë Radio Pekini, e trumbetonte me të madhe miqësinë e ngushtë midis Shahut e Shahinës dhe Maos e Çusë. Kjo, natyrisht, ne shqiptarët, që i kishim ndjekur me vëmendje qëndrimet e Kinës, nuk na çudiste, por na indinjonte.

Kinezët e konsideronin nder të madh dhe politikë të madhe, të mbanin me Shahun e Iranit marrëdhënie miqësore dhe “të sinqerta”. Mirëpo skandali ndoqi skandalin. Me ardhjen e Hua Kuo Fenit në fuqi, kjo miqësi u trash aq shumë, saqë kur ky kaposh kinez, pa tru në kokë, shkoi në Rumani dhe në Jugosllavi, i këshilluar edhe nga Titoja, bëri një kthesë në Teheran, ku ndenji tri ditë të tëra, hëngri, piu e bisedoi shtruar me Shahun, kurse në rrugët e Teheranit, po vriteshin me qindra demonstrues që kërkonin të rrëzonin Shahun e Iranit, Muhamed Reza Pahlevinë.

Pra Hua Kuo Feni, kryetar i Kinës “socialiste”, bisedonte shtruar në pallatin e Shahinshahut, kurse SAVAK-u, vriste në masë popullin dhe patriotët iranianë. Mirëpo Shahu ra nga fiku dhe erdhi Khomeini.  Çfarë do të bënte Kina? Natyrisht do të lëpinte çfarë kishte pështyrë e do t’i puthte dorën Khomeinit. Kinezët nuk e kanë për gjë të bëjnë “volte face”, s’e kanë për turp, atyre s’u prish punë që, sot të jenë me Shahun dhe me Pinoçetin, nesër të jenë me Ajatollahun dhe me një Alende të ri. Kështu që ata, duhej medoemos t’i kërkonin ndjesë Ajatollah Khomeinit. Në kohën e Shahut dhe të pushtetit të SAVAK-ut, kinezët kishin mundësi dhe organizonin atje agjenturën e tyre, e cila bashkëpunonte ngushtë me CIA-n.

Tash këta partizanë të Kinës nuk mund të lihen pa mbështetje, mirëpo, në qoftë se nuk mbështetet AjatoLlah Khomeini, nuk mund të sigurosh dot agjentët e t’u në Iran. Kështu që Kina po manovron, edhe në këtë drejtim. Sipas agjencisë ‘Rojter’ këshilltari presidencial pakistanez, Agha Shahi, që ndodhet për një vizitë në Iran, dorëzoi këtu një mesazh të kryetarit Hua Kuo Fen, ku ky i kërkoi falje Ajatollah Khomeinit, për vizitën që bëri në Iran gjatë regjimit të Shahut të dëbuar, duke i thënë që “unë shpreh ndjenjat e pastra për Republikën Islamike të Iranit”. Sipas agjencisë ‘Rojter’, udhëheqësi kinez përpiqej ta justifikonte para Ajatollah Khomeinit, pjekjen e tij me Shahun e Iranit, duke i thënë se ishte ndaluar në Iran kur u kthye nga Jugosllavia, për t’u çlodhur pas udhëtimit të gjatë që kishte bërë.

Pas kësaj, si thuhet, televizioni shtetëror iranian vinte në dukje se Ajatollah Khomeini e ka falur kryetarin kinez dhe theksonte se «vendi ynë dëshiron të ketë marrëdhënie miqësore me vendet islamike dhe jo islamike, megjithëse turneu i tij (i Hua Kuo Fenit) u bë në një kohë kur rinia e Iranit ishte mbytur në gjak. Ne dhe populli iranian do ta falim atë». Amin! Pra, kryetari Hua, po i rregullon telat me udhëheqësit e Iranit, me vendet islamike, me Pakistanin dhe me amerikanët. Është e kuptueshme që Kina është pararoja e imperializmit amerikan dhe e CIA-s në Iran. Nuk ishte e rastit që Hua Kuo Feni, udhëheqësi i një vendi të madh, erdhi të mbështeste shahun kundër popullit të revoltuar pikërisht në ditët e tij të fundit. Për kinezët nuk luan rol se je shiit apo suni, budist apo mysliman, katolik apo protestant.

Për ata të gjithë janë njësoj, të tëra “macet” njësoj janë, mjafton të zënë “minj”, s’ka rëndësi nëse është “macja” e zezë apo e bardhë, ajo është “mace” për Kinën. Prandaj edhe përulësia e kinezëve nuk ka të mbaruar, ajo shoqërohet me buzëqeshje të vazhdueshme nga të dyja anët. Kështu që kush do t’u bëjë qejfin kinezëve, pas takimeve e bisedave me ta duhet të shkojë te dentisti të rregullojë nofullat, se sigurisht janë të rrudhura nga të qeshurit fals, përpara kinezëve. Kurse ne, jo vetëm nuk u buzëqeshën kinezërive të tyre, por, përkundrazi, u dhamë një shuplakë dhe ua premë të qeshurit në mes.

E ENJTE 27 DHJETOR 1979

LARG DUART NGA IRANI!

Teza për artikull. Dhashë tezat për të shkruar një artikull tjetër mbi Iranin. Ky artikull, që është i treti ose i katërti që po shkruajmë për ngjarjet në këtë vend, duhet ketë për objekt mbrojtjen e Iranit nga kërcënimet amerikane. Me fjalë të tjera, në këtë artikull ne duhet të shprehim mendimin tonë për këtë çështje. Për përmbajtjen e artikullit, duhet të marrim shkas nga deklaratat e Karterit dhe nga veprimet e imperializmit amerikan, që ka vendosur të vërë bllokadën e plotë ekonomike kundër Iranit. Tani ai ka bllokuar në bankat amerikane dhe në filialet e tyre pasuritë e Iranit, qofshin ato të shtetit iranian, qofshin miliardat e grabitura nga Shahu. Pra, imperializmi amerikan, kërcënon Iranin në fillim me luftë të ftohtë, për ta kthyer atë më vonë në luftë të nxehtë.

Kuptohet pse e bën këtë imperializmi amerikan, sepse ai po merr grushte të rënda nga populli i Iranit dhe po pëson disfata në çdo ndërmarrje të tij. Disfata të tjera do të pësojë imperializmi amerikan në qoftë se nuk heq dorë nga kërcënimet dhe nga lufta grabitqare. Por imperializmi amerikan s’ka se si të mos e mbrojë “Perandorinë” e vet. Kjo do të thotë që ai të vazhdojë të përpiqet që të mbajë nën zap Iranin, domethënë naftën e këtij vendi. Pra, mbron grabitjet në kurriz të popullit iranian, mbron xhelatin e popullit iranian, shahun Pahlevi, i cili është agjent i tij dhe njëkohësisht vrasës gjakatar i popullit të vet. Përballë imperializmit amerikan është ngritur populli iranian, i cili po bën një luftë të drejtë, të pamëshirshme kundër tij.

Pra, lufta e popullit Iranian është në rrugë të drejtë dhe duhet të mbështetet, kurse lufta që po përgatit imperializmi amerikan, është një luftë grabitqare dhe duhet të dënohet. Këto që theksova duhet t’i shërbejnë si sfond artikullit, kurse rreth këtij sfondi, duhet të vëmë në dukje se imperializmin amerikan në veprimtaritë e tij e mbështetin, kush më shumë e kush më pak, kush hapur e kush fshehtazi, gjithë imperialistët e tjerë dhe vendet kapitaliste perëndimore, po ashtu satelitët e tyre, si Titoja e Ten Hsiao Pini me shokë, pastaj, drejtpërdrejt ose tërthorazi, e mbështet edhe Bashkimi Sovjetik. Por, në fakt, Bashkimi Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po luftojnë për të ndarë sferat e influencës në këtë rajon.

Deri tani Irani ka qenë nën sferën e amerikanëve, kurse, në këto koniunktura, revizionizmi sovjetik përpiqet edhe t’u zërë vendin amerikanëve. Këtë ai e bën edhe me presione të fshehta dhe me kërcënime të hapëta, nga njëra anë, gjoja për të mbrojtur pavarësinë e Iranit dhe, nga ana tjetër, duke parë situatat kërcënuese që krijon imperializmi amerikan, grumbullon forca të armatosura në Azerbajxhanin sovjetik, shkakton turbullira me agjenturën e vet brenda në Azerbajxhanin e në Kurdistanin iranian etj. Mbrëmë, Departamenti i Shtetit Amerikan dhe agjencitë e lajmeve, njoftuan se sovjetikët kanë zbarkuar rreth 50 mijë trupa si dhe një numër tankesh në Afganistan dhe kryen një grusht shteti, kundër kryeministrit Hafizullah Amin, i cili hiqej si pro sovjetik dhe siç dihej erdhi në fuqi po me grusht shteti, pasi rrëzoi dhe vrau Tarakin, që edhe ky ishte pro sovjetik.

Si duket këtu luhet një lodër e dyfishtë, pra edhe nga ana e sovjetikëve, edhe nga ana e amerikanëve. Në llogari të përgjithshme, të gjitha këto bëhen në kurriz të Iranit, ku superfuqitë përpiqen të realizojnë synimet e tyre ekspansioniste, është e qartë se veprimet grabitqare, të fshehta ose të hapëta, të imperializmit amerikan dhe të social-imperializmit sovjetik në këtë rajon, presionet mbi Iranin, pushtimi i drejtpërdrejtë i Afganistanit, janë pjesë të komploteve të bashkërenduara imperialiste kundër Iranit, vendeve të Gjirit Persik dhe synimeve për të shuar kryengritjet në Lindjen e Mesme, domethënë në vendet arabe.

Në këtë artikull ne duhet të theksojmë se lufta e popullit iranian është një luftë çlirimtare, kundër feudalizmit dhe kundër imperializmit, prandaj e mira është që populli iranian të jetë i bashkuar përpara armiqve kryesorë që e kërcënojnë, imperializmit amerikan dhe social-imperializmit sovjetik. Këtu ne mund të flasim edhe për Khomeinin dhe të themi se me filozofinë e tij idealiste islamike ne nuk jemi dakord, por jemi dakord me qëndrimet e tij politike, me luftën e tij antiimperialiste, antiamerikane dhe e mbështetim atë në këtë luftë. Pastaj duhet të themi që më vonë, pasi të konsolidohet pavarësia e Iranit dhe të shtyhet rreziku që e kërcënon atë nga imperializmi amerikan e nga social-imperializmi sovjetik, populli iranian duhet të luftojë për të drejtat demokratike, për tokën, për bukën, për lirinë e tij.

Ne duhet të theksojmë se veprimet e amerikanëve do të sjellin turbullira të rrezikshme, të cilat mund të çojnë në luftë botërore. Ajatollah Khomeini deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë të bllokojnë Iranin, gjë që do të thotë luftë e armatosur në mes tyre dhe se kjo luftë do të kthehet në një luftë të përgjakshme botërore. Imam Khomeini ka të drejtë, sepse, në qoftë se imperializmi amerikan sulmon Iranin, duhet të marrë parasysh që gjithë Lindja e Mesme, gjithë pellgu i naftës, do të marrë zjarr dhe në këtë luftë popujt e këtyre vendeve nuk mund të mos e mbrojnë popullin iranian që është i një besimi me ta, pavarësisht nga kontradiktat midis tyre që mund të kenë qeveritë e vendeve të këtij rajoni.

Pra, në Lindjen e Mesme, një luftë në mes amerikanëve dhe iranianëve do ta prishë koniunkturën aktuale të lëkundshme të ndërtuar me intriga dhe në konflikt do të futen Bashkimi Sovjetik, Anglia, Franca e vende të tjera. Kështu Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në rast lufte, do të kenë përballë jo vetëm popullin e Iranit, por edhe popujt e tjerë të Gjirit Persik, popujt e Lindjes së Mesme në përgjithësi. Nga ana tjetër, veprimet luftarake të amerikanëve ose bllokadat e tyre do të gjejnë medoemos kundërshtim nga vetë partnerët e aleatët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga Japonia, Anglia, Franca, Italia, Gjermania Perëndimore, të cilët do të dëmtohen ekonomikisht, pse do t’u priten burimet e naftës. Këto vende nuk mund të rrojnë pa naftën, pa të ato nuk mund të bëjnë dot luftë.

As Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk mund të vazhdojnë gjatë luftën pa naftën e Lindjes së Mesme. Në rast se Shtetet e Bashkuara, luftën e ftohtë kundër Iranit, e kthejnë në luftë të nxehtë, do ta humbasin naftën. Ne duhet të theksojmë se imperializmi amerikan dhe imperialistët e tjerë kanë në Iran agjenturat e tyre të vjetra, të cilat do të veprojnë kundër kryengritjes popullore antiimperialiste të Iranit, kundër studentëve. Prandaj populli iranian, klasa punëtore, studentët dhe fshatarësia, duhet të jenë vigjilentë dhe të qëndrojnë të bashkuar në bllok, kundër armikut, të jashtëm e të brendshëm, që. manovron me një mijë mënyra, të hapëta ose të fshehta, në formë lëvizjesh pseudo demokratike ose në formë komplotesh. Të gjitha këto komplote dhe lëvizje pseudo-demokratike, janë të lidhura me imperialistët e jashtëm, të cilët duan të kthejnë në Iran regjimin e vjetër, vegël të tyre, agjentin e vjetër, Shahun, ose njerëzit e tij, që t’u shërbejnë më mirë dhe t’u sigurojnë naftën e Iranit.

Ne duhet të theksojmë se robërit e ambasadës amerikane, të ashtuquajtur diplomatë, nuk janë veçse një agjenturë. Aktualisht diplomacia amerikane, diplomacia sovjetike dhe ajo e mjaft shteteve të tjera, nuk ka më karakterin e vërtetë të një diplomacie dhe nuk zbaton ato parime që shprehen kur ambasadorë të këtyre vendeve paraqesin letrat kredenciale përpara shtetit ku janë akredituar; në fakt, të gjithë këta janë agjentë të CIA-s, të FBI-së, të KGB-së etj. dhe në këto vende ku janë akredituar, organizojnë rrjetet e spiunazhit dhe të komploteve kundër lirisë, demokracisë e pavarësisë së popujve të atyre vendeve. Pra, të tillë janë diplomatët amerikanë, që mbështetin shahun dhe njerëzit e tij për të fituar pasuritë përrallore të Iranit.

Ajatollah Khomeini, studentët dhe populli iranian, kanë pasur dhe kanë të drejtë që këta njerëz t’ia kalojnë gjyqit për të dhënë llogari mbi veprimtarinë diversioniste që kanë zhvilluar në bashkëpunim me Shahun e Iranit. Këtë veprim të drejtë të popullit iranian bota borgjeze e quan si një shkelje të normave ndërkombëtare që rregullojnë statusin e diplomatëve dhe marrëdhëniet diplomatike, por harron të thotë se këta diplomatë, qysh përpara i kanë shkelur rregullat e normat në fjalë në kurriz të popullit iranian. Edhe Papa, një nga kapitalistët më të mëdhenj të botës, nga penxherja e Vatikanit, këtij institucioni që ka hedhur rrjetën e merimangës së zezë në të gjithë botën, kërcënoi Iranin “duke iu lutur” Khomeinit që të lirojë pengjet. Por Papës së Vatikanit, nuk iu ndie zëri atëherë kur amerikanët, nëpërmjet CIA-s e ambasadorit Henderson, kaluan me tanke mbi popullin e Teheranit, që rrëzoi shahun në kohën e Musadekut.

Sigurisht Papa polak, Vojtila, është në akord të plotë me polakun amerikan Brzezhinski, shefin e Këshillit të Sigurimit kombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe arkitektin kryesor të përgatitjes së luftës së ftohtë dhe të luftës së nxehtë kundër Iranit. Por populli i Iranit, studentët dhe Ajatollah Khomeini, siç po shohim, mbajnë një qëndrim burrëror dhe të drejtë jo vetëm kundër agresorëve imperialistë amerikanë, por kundër të gjithë lakenjve të tyre, të cilët kush me petkun e kishës, kush me petkun e diplomatit dhe me «letra e rekomandime» të presidentëve të shteteve të tyre, venë në Iran për t'i bërë presion, në formën e këshillave ose të lutjeve, Ajatollah Khomeinit që të lirojë pengjet, pse gjoja po shkel të drejtat diplomatike të vendosura nga Organizata e Kombeve të Bashkuara ose nga traditat e diplomacisë.

Por duhet kuptuar dhe është e qartë se të gjithë këta nuk e kanë parasysh asnjë grime interesin e madh të popullit të Iranit e të të gjithë popujve të tjerë të shtypur nga imperializmi amerikan, social-imperializmi sovjetik dhe kapitalizmi botëror, por kanë interesat e vet, interesat e klikave të tyre që janë të bashkuara me këta imperialistë në luftë me popullin e Iranit dhe me popujt e tjerë. Të gjithë këta, të cilët kërkojnë që Irani të marrë vendime të padrejta për interesat e vet kombëtarë e të favorshëm për amerikanët, fshihen nën maskën e «miqësisë» me Iranin, nën maskën gjoja të demokracisë dhe të mirësjelljes. Por nuk ka mirësjellje ndaj armiqve të popujve, nuk mund të ketë drejtësi në qëndrimet diplomatike, kur këto shkelen nga të tjerët, nga më të mëdhenjtë, ose qoftë edhe nga të vegjlit e djallëzuar. Dhëmb për dhëmb duhet të zhvillohet lufta kundër imperializmit, veglave e veprimeve të tij.

E SHTUNE 29 DHJETOR 1979

LARG DUART NGA IRANI!

I dhashë dorën e fundit artikullit “Larg duart nga Irani”!. Ia dërguam gazetës “Zëri i popullit” që ta botojë nesër.

JANAR 1980

NGJARJET QE PO ZHVILLOHEN NE VENDET MYSLIMANE DUHET TË SHIKOHEN NË DRITËN E MATERIALIZMIT DIALEKTIK E HISTORIK

Aktualisht gjendja ndërkombëtare, paraqitet mjaft e nderë. Në shumë rajone të botës, e kryesisht në pellgun e madh të vendeve të naftës, sidomos të Azisë, lufta midis dy superfuqive imperialiste, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Sovjetik, pa përjashtuar Kinën imperialistë dhe fuqitë e tjera kapitaliste, për ndarjen e rindarjen e tregjeve e të zonave të influencës, për t’i futur bërrylat njëri-tjetrit, ashtu siç është parashikuar me të drejtë prej kohësh nga Partia jonë, ka arritur përmasa të reja e të mëdha. Presionet e komplotet e tyre shoqërohen me përpjekjet dhe me zhurmën diplomatike e propagandistike për “ujdira e kompromise” gjoja për të ruajtur paqen dhe ekuilibrin e forcave. Në fakt, siç po tregojnë ngjarjet e kohëve të fundit, pavarësisht nga acarimi i madh i rivalitetit, ne shohim se ujdia dhe kompromisi janë ende parimi bazë i politikës së tyre ndaj njëri-tjetrit.

Por një ditë rivaliteti midis tyre mund të arrijë në një pikë, të cilën nuk do të mund ta zgjidhin e ta kapërcejnë dot më, veçse me konfrontim luftarak. Pasojat e një konfrontimi të tillë, sikurse ka ndodhur edhe në luftërat e mëparshme imperialiste, do të bien mbi popujt. Rezultati më i freskët i këtij rivaliteti është agresioni ushtarak i social-imperialistëve sovjetikë kundër Afganistanit, është pushtimi me forcën e armëve i këtij vendi nga njëra prej superfuqive imperialiste. Është fakt se ajo çka u bë tash në mënyrë të hapët e me forca të armatosura nga sovjetikët kundër sovranitetit të popullit afgan, është gatuar prej kohësh nga politikanët e nga ushtarakët shovinistë social-imperialistë sovjetikë dhe nga agjentët e tyre afganë.

Si të parët, ashtu edhe të dytët, për të arritur aty ku arritën sot, shfrytëzuan rrëzimin, në fillim të mbretit Muhamed Zaher Shah në vitin 1973 dhe, më vonë, më 1978, përmbysjen e Princit Daud. Për qëllimet e tyre të këqija, ata shfrytëzuan edhe dëshirën për çlirim shoqëror të popullit afgan, i cili e ndiente shtypjen e monarkisë absolute dhe të miqve të saj të huaj, në radhë të parë të sovjetikëve, që e financonin dhe e mbanin atë në fuqi. Pra, social-imperialistët sovjetikë, me gjithë “aleancën” që kishin me mbretin e Afganistanit, punuan dhe vepruan për rrëzimin e tij. Për të maskuar qëllimet e veta imperialiste, në fillim sollën në fuqi njerëz gjoja me ndjenja më përparimtare. Pastaj edhe këta i ndërruan njëri pas tjetrit me veprime gjakderdhëse, me puçe e me tanke, u çuan në satër, siç ndodhi me Nur Muhamed Tarakin dhe me Hafizullah Aminin.

Por asnjë pushtues i huaj, sado i fuqishëm e i armatosur të jetë, nuk mund ta mposhtë përgjithmonë popullin ndaj të cilit ka bërë agresion. Pushtuesit e huaj, përveç klikave agjenturore, antikombëtare e antipopullore, kudo që janë futur janë pritur e priten nga popujt me urrejtje e rezistencë në fillim sporadike, pastaj me revolta më të organizuara që dalëngadalë kthehen në kryengritje popullore, në luftëra çlirimtare. Këtë ne po e shohim të vërtetohet edhe në Afganistan, populli i të cilit është ngritur në këmbë e po lufton me ashpërsi në qytete, në fshatra e në male kundër ushtrive pushtuese sovjetike. Kjo luftë e popullit afgan gëzon përkrahjen dhe simpatinë e popujve liridashës e të forcave revolucionare të mbarë botës. Atë e mbështet me të gjitha forcat edhe populli ynë. Lufta e popullit afgan kundër social-imperialistëve sovjetikë është një luftë e drejtë, prandaj ajo do të triumfojë. Memorie.al

                                                     Vijon numrin e ardhshëm

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Aktivitetet kulturore/ ‘Arrëthyesi’, baleti emblematik i Krishtlindjes te Opera, dy shfaqje teatrore

Aktivitetet kulturore/ ‘Arrëthyesi’, baleti emblematik i Krishtlindjes te Opera, dy shfaqje teatrore