Filozofi dhe mendimtari anglez i shekullit XVII, Francis Bacon, shkruante se e vërteta del më lehtë nga gabimi sesa nga konfuzioni. Në politikë, konfuzioni lind shpesh atëherë kur argumenti i shpallur publikisht dhe rrethanat në të cilat ai artikulohet nuk ecin gjithmonë në të njëjtën linjë. Pikërisht në këtë hapësirë, mes argumentit juridik dhe perceptimit politik, po zhvillohet edhe debati rreth marrëveshjes së huasë ushtarake prej 302 milionë dollarësh me Shtetet e Bashkuara.
Partia Demokratike ka deklaruar se nuk është kundër marrëveshjes me aleatin strategjik të Shqipërisë, por kundër mënyrës se si ajo u miratua në Kuvend. Sipas opozitës, procedura parlamentare ka cenuar rregullat kushtetuese dhe për këtë arsye çështja është dërguar edhe në Gjykatën Kushtetuese.
Në një shtet të së drejtës, ky është një argument legjitim që duhet të shqyrtohet nga institucionet përkatëse. Procedura nuk është një detaj teknik. Ajo është garancia që pushteti të mos veprojë pa kufij. Por politika nuk zhvillohet vetëm në sallat e gjyqeve, në Kuvend apo në zyrat e institucioneve.
Argumentet juridike kanë peshën e tyre, por në politikë nuk mjafton vetëm ligjshmëria e një veprimi, sepse rëndësi ka edhe mënyra se si ai perceptohet nga qytetarët edhe çfarë simbolike përcjell.
Këtu shfaqet paradoksi i situatës.
Partia Demokratike ka qenë për dekada një nga zërat më të fortë të orientimit euroatlantik në Shqipëri dhe e ka lidhur identitetin e saj politik me marrëdhënien e veçantë me Shtetet e Bashkuara.
Për këtë arsye, kundërshtimi i një marrëveshjeje strategjike me Uashingtonin, edhe kur argumentohet mbi baza procedurale, krijon një pyetje të pashmangshme në opinionin publik: a është vetëm një debat mbi rregullat e lojës, apo një përplasje që mbart edhe ngarkesa të tjera politike?
Debati u zgjerua edhe më tej pas kritikave të opozitës ndaj Kreut të Shtetit për dekretimin e marrëveshjes së huasë.
Një çështje që nisi si kundërshtim ndaj mënyrës së votimit përfundoi duke përfshirë edhe institucionin e Kreut të Shtetit. Kjo e zhvendosi përplasjen nga një debat procedural në një debat më të gjerë mbi besimin mes institucioneve si edhe perforcoi perceptimin publik se PD ishtë kundër.
Në sfond të kësaj përplasjeje qëndron edhe hija e çështjes non grata të Sali Berishës dhe marrëdhënieve të tensionuara ndër vite mes tij dhe Uashingtonit. Përpjekjet për ta sfiduar atë vendim amerikan, fondet e lobimit dhe rezultatet e arritura kanë qenë pjesë e një debati publik që kërkon më shumë transparencë.
Për një pjesë të opinionit publik, ironia e hidhur e kësaj beteje është se përpjekjet politike dhe financiare nuk sollën ndryshimin e vendimit për non grata-n, por përfunduan vetëm me mundësinë e udhëtimit përmes marrjes së vizës.
Megjithatë, asnjë zhgënjim politik, interes personal apo konflikt i mbartur nga e kaluara nuk duhet të ndikojë në vlerësimin e një marrëdhënieje strategjike si ajo mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Në fund, Gjykata Kushtetuese do të vendosë nëse procedura e ndjekur për marrëveshjen ka qenë në përputhje me Kushtetutën. Por gjykimi politik do të bëhet në një tjetër sallë, në atë të opinionit publik.
Aty pyetja nuk është vetëm nëse një parti kishte të drejtë të kundërshtonte, por nëse arriti të bindë se kundërshtimi lidhej vetëm me procedurën dhe jo me hijet e një konflikti më të vjetër politik, të lidhur me përplasjet e Sali Berishës me Shtetet e Bashkuara dhe me qëndrimet e Uashingtonit ndaj tij.
Sepse, siç na kujton Bacon, konfuzioni është shpesh vendi ku e vërteta humbet më lehtë./TemA









Komente
Komento