BILISHT - Kanë qenë një grup qytetarësh, kryesisht emigrantë, të cilët kanë mundur të zbulojnë se në llogaritë e tyre bankare, mungonte shuma që ata pretendonin se mund të kishin. Pak javë më parë, klientët që iu kishin humbur paratë, i drejtohen auditit të bankës.

Nis auditimi dhe mësohet se gjatë verifikimeve ekspertët kanë konstatuar një shumë marramendëse të zhdukur nga llogaritë e pretenduesve. Grupi i auditit, ka mbledhur të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për të gjitha rastet e denoncuara dhe i ka paraqitur në Prokurorinë e Korçës për të nisur verifikimet në lidhje me personat e dyshimtë, një prej të cilëve mendohet se është vetë drejtuesi i këtij filiali banke.

Ndonëse, ende prokuroria dhe Task-Force nuk kanë arritur në një konkluzion përfundimtar në lidhje me akuzat për drejtuesin e bankës, policia e Korçës ka bërë publik dje emrin e tij, po ashtu edhe shkakun se përse po hetohej. Referuar të dhënave që vijnë nga Policia e Shtetit, zyrtarisht, u bë me dije se ndaj Ervin Çekanit, drejtuesit të një filiali banke në Bilisht, nuk ekziston asnjë urdhër ndalimi apo arresti nga ana e Prokurorisë, e cila ka refuzuar të bëjë publike çdo të dhënë në lidhje me këtë çështje, ku vjedhja në bankë dyshohet se është në shifra të mëdha.

‘Zhdukja’   
Edhe pse zyrtarisht nuk bëhet me dije që drejtori i Bankës të jetë shpallur në kërkim, sipas të dhënave që ka grumbulluar policia në rrugë operacionale, kanë treguar se Çekani nuk shkon në punë prej 5 ditësh. Do të thotë për gjatë gjithë javës, Çekani nuk ka shkuar në bankë dhe për pasojë ka dyshime që ai mund të jetë larguar edhe jashtë vendi. Policia ka saktësuar se Çekani nuk rezulton të jetë as në Korçë, ndërsa që ditën e djeshme, tashmë emri i tij është bërë publik nga policia dhe dyshohet se ai të jetë përvetësuesi i jo pak po i plot 1 milion euro-ve.

Prokuroria e Korçës zyrtarisht mohoi mbrëmë të ketë nisur ndonjë procedim penal në emër të drejtorit të filialit të bankës, ndonëse auditi ka depozituar një dosje voluminoze në Prokurori ku hidhet dritë mbi zhdukjen e një shifre marramendëse për kapacitetin e një banke të tillë. Referuar të dhënave jo zyrtare, por të besueshme, saktësohet se edhe pas kryerjes së auditit në Bankë, ka patur klientë që janë ankuar për mungesën e vlerës së kursimeve që kanë patur në atë filial banke.

Por, prokuroria ende nuk ka përfunduar hetimet për të arritur në një emër konkret përgjegjës për këtë skandal të zhdukjes së kursimeve të klientëve të bankës, ndërkohë që pritet që prokuroria pritet të lëshojë edhe urdhër arrestet për vjedhjen e të paktën 1 milion eurove në këtë bankë. Rreth një vit e gjysmë më parë, një tjetër skandal bankar u regjistrua në këtë qytet në filialin e një tjetër banke ku drejtori dhe 5 punonjës kishin marrë sasi të konsiderueshme parash nga llogaritë e disa qytetarëve dhe i luanin tek lotoja e qytezës.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)