Malësi e Madhe-Një aksident me pasojë vdekjen u shënua mbrëmjen e djeshme (12 dhjetor) në aksin rrugor "Koplik-Dedaj", ku humbi jetën një 21-vjeçari Gjeto Gjonaj.
I riu humbi kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe për pasojë automjeti doli nga rruga dhe nga plagët e marra ai ndërroi jetë.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka reaguar në lidhje me këtë lajm tragjik duke zbuluar se Gjeto Gjonaj, ishte pjesë e strukturës së Policisë së Burgjeve.
'Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe stafi i saj shprehin ngushëllimet më të thella për humbjen e Gjeto Gjonaj, një djalë i ri dhe i talentuar, pjesë e strukturës së Policisë së Burgjeve. Gjeto, i cili kishte ëndrrat e tij të mëdha për të shërbyer në sistemin e drejtësisë, ndërroi jetë në një moshë shumë të re, duke lënë pas një dhimbje të madhe tek familja dhe të afërmit e tij.
Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, së bashku me stafin, janë pranë familjes Gjonaj në këtë moment të vështirë, duke shprehur solidaritetin dhe mbështetjen e tyre për këtë humbje të pazëvendësueshme. Gjeto do të mbetet gjithmonë në zemrat tona si një simbol i përkushtimit dhe shpresës për një të ardhme më të drejtë. Do të kujtohemi gjithmonë për pasionin dhe dedikimin tënd. Lamtumirë Gjet!', thuhet në njoftim.