Kandidatët e koalicionit Bashkë Fitojmë në zgjedhjet vendore të 14 majit, kanë mbajtur të njëjtën linjë me Sali Berishën duke thënë se nuk është e nevojshme që ky i fundit të dorëhiqet nga kreu i Rithemelimit por se duhet të bëhet një analizë më e thellë dhe më pas të vendoset.

Kandidati për Kuçovën, Lefter Maliqi tha se Berisha është fitues moral i këtyre zgjedhjeve sepse pavarësisht mungesës të vulës së PD-së dhe të komisionerëve, sërish kishte arritur të merrte një numër të madh votash. Ai u ndal më tej tek kontestimi i rezultatit për bashkinë e Kuçovës duke deklaruar se në shtator apo tetor mund të kishte përsëritje të zgjedhjeve në këtë bashki.

Sali Berisha është fitues moral i këtyre zgjedhjeve sepse ishte pa vulë dhe pa funksionarë. Kurse për Kuçovën ppo iu them se fitorja do jetë në tavolinë pas hapjes së kutive ose do kalojmë në zgjedhje në muajin shtator apo tetor, kështu që jam i bindur në një fitore të padiskutueshme”-tha Maliqi.

Nga ana tjetër, i pyetur nga gazetarët nëse Berisha duhet të jepte dorëheqjen, një prej kandidatëve të BF në zgjedhjet e 14 majit, deklaroi se mbledhja e ditës së sotme bëhet për të kërkuar dorëheqjen e Ramës.

“Nuk jemi mbledhur për dorëheqjen e Berishës, duhet të kërkojmë dorëheqjen e Ramës jo të Berishës”- u shpreh ai.

I të njëjtit mendim ishte edhe një tjetër kandidat i BF i cili tha se duhej bërë analiza e zgjedhjeve më pas të vendosej mbi qëndrimin që duhet të mbajë secili.

Sot Sali Berisha në godinën e Rithemelimit zhvilloi një mbledhje me 61 kandidatët e koalicionit Bashkë Fitojmë dhe me drejtuesit e qarqeve, ku deklaroi se do të ketë një analizë ndër më seriozet sa i takon rezultatit në zgjedhjet vendore të 14 majit.