Për të pestin sezon radhazi Partizani e ka nisur me humbje sezonin e ri. Të kuqtë janë mposhtur në ndeshjen hapesë të kampionatit 1-0 nga Teuta në ‘Elbasan Arena’, për shkak se Niko Dovana është në rikostruksion. Goli që vulosi sfidën u realizua në minutën e 18 Gorgiev, i cili përfitoi nga një gafë e Alban Hoxhës.
Ilir Daja, trajner i Partizanit: “Është java e parë e kampionatit. Kemi cilësi brenda ekipit, por akoma nuk jemi grup për shkak të lojtarëve kryesorë që nuk kanë formën e duhur fizike. Sot kemi patur dëshirë për ta fituar ndeshjen, por pjesë e lojës janë edhe gabimet.”
Ndërkohë në kampin durrsak, që janë kampionët në fuqi të Superligës, i gëzohen 3 pikëve pasi janë të vetëdijshëm që nuk zhvilluan një ndeshje shumë pozitive.
Edi Martini, trajner i Teutës: “Gjithmonë ndeshjet e para të sezonit nuk janë në nivelin e duhur. Të rëndësishme në këto momente janë shumë pikët. Goli i shpejtë na tërhoqi shpejt në mbrojtje, por nuk ishte dëshira jonë. Kjo edhe për meritë të Partizanit që për mua bëri ndeshje shumë të mirë.”
Në javën e dytë të kampionatit Partizani do përballet në transfertë me Skënderbeun, ndërsa Teuta udhëton në Shkodër për t’u përballur me Vllaznisë.