Dy ish-ministra të qeverisë së Viktor Orbanit janë ndaluar në Hungari nën dyshimet për korrupsion dhe përvetësim fondesh. Balazs Hanko dhe Miklos Sesztak përfunduan në duart e prokurorëve menjëherë pasi parlamenti u hoqi imunitetin si ligjvënës.

Sipas mediave hungareze, të dy u paraqitën vullnetarisht te prokurorët pasi u thirrën mbrëmjen e së hënës. Ata mund të mbahen fillimisht në paraburgim deri në 72 orë, ndërsa më pas u takon gjykatësve të vendosin nëse do të qëndrojnë më gjatë në paraburgim.

Hanko dhe Sesztak janë zyrtarët e parë të lartë nga qeveritë e Orbanit që përballen me hetime për korrupsion.

Kryeministri i ri i Hungarisë, Peter Magyar, i mirëpriti zhvillimet dhe tha se vendi nuk është më një vend “ku nuk ka pasoja”.

“Pas dekadash gënjeshtrash, miliona hungarezë kanë mësuar për herë të parë se çfarë do të thotë ndryshim i vërtetë i regjimit dhe barazi para ligjit. Hungaria më në fund nuk është më një vend ku nuk ka pasoja”, shkroi Magyar në Facebook.

Hetuesit dyshojnë se Hanko ka keqpërdorur fonde shtetërore për shpenzimet e fushatës zgjedhore gjatë periudhës kur ishte ministër i Kulturës dhe Inovacionit, nga viti 2024 deri në vitin 2026. Sipas dyshimeve, dëmi arrin në 17,3 miliardë forinta, ose rreth 53 milionë dollarë.

Sesztak, i cili shërbeu si ministër i Zhvillimit nga viti 2014 deri në vitin 2018, akuzohet për përfshirje në një skandal korrupsioni që lidhet me kompaninë e transportit “Volanbusz ZRT”.

Në këtë çështje dyshohet se zyrtarëve shtetërorë që merrnin vendime u janë paguar ryshfete me vlerë mbi 11 miliardë forinta.