Hungaria mund të ketë për presidente një nga emrat më të njohur të botës së shahut. Kryeministri Peter Magyar ka bërë të ditur se do t'i propozojë Judit Polgar, shahistes më të suksesshme në histori, që të marrë postin e presidentes së vendit deri në miratimin e Kushtetutës së re.
Në një postim në Facebook, Magyar shkroi se Hungaria ka nevojë për “unitet, paqe dhe një president për të cilin çdo hungarez të ndihet krenar”, duke theksuar se presidenca është forma më e lartë e shërbimit ndaj vendit.
Polgar nuk ka mbajtur më parë asnjë post politik. Ajo është e vetmja grua në historinë e shahut që ka kaluar kufirin prej 2700 pikësh Elo, ka qëndruar për 26 vite radhazi në krye të renditjes botërore për femra dhe ka arritur deri në vendin e tetë në renditjen e përgjithshme botërore.
Spekulimet për një kandidim të saj nisën disa javë më parë, pasi kryeministri publikoi një foto ku luante shah me Polgar.
Zhvillimi vjen në një moment të rëndësishëm politik për Hungarinë. Presidenti Tamas Sulyok njoftoi të shtunën se do të firmosë amendamentin e 17-të të Ligjit Themelor. Me hyrjen në fuqi të tij, mandati i presidentit përfundon dhe deri në zgjedhjen e kreut të ri të shtetit detyra do të ushtrohet për një muaj nga kryetarja e Parlamentit, Agnes Forsthoffer.
Ndërkohë, 16 figura të njohura nga fusha e shkencës, kulturës dhe sportit i kanë dërguar një letër Forsthoffer, duke propozuar zyrtarisht Judit Polgar për presidente. Në të njëjtën kohë, grupi i juristëve Ugyvedkor ka propozuar Peter Barandy si kandidat për këtë post.
Komente






