TIRANË- Me ardhjen e vitit 2020, hyn në fuqi edhe paketa fiskale e hartuar nga Ministria e Financave dhe e miratuar në Komisionet parlamentare dhe Kuvend. Konkretisht është ndërhyrë në disa ligje të rëndësishme dhe me impakt në buxhetin e shtetit dhe tek të ardhurat.
Duke filluar nga data 1 janar hyn në fuqi vendimi për të tatuar të dy-punësuarit për totalin e të ardhurave. Pra në rast se një person është i dy-punësuar me pagën minimale nën 30 mijë lekë që nuk tatohet tashmë do të paguajnë tatim mbi të ardhurat për shumatoren e dy pagave, pra do të paguaj tatim për 60 mijë lekë.
Një tjetër ndryshim që ka pësuar ligji për tatimin mbi të ardhurat është edhe heqja e tatimit prej 15% për kalimin e të drejtës së pronësisë për banesën ose truallin, brenda lidhjes gjinore në familje, bashkëshort, bashkëshorte, fëmijë, vetëm një herë ndaj një përfituesi, nëpërmjet dhurimit. Po ashtu është parashikuar që të përfitojnë nga lehtësimi prej taksave kompanitë e mëdha, me një xhiro vjetore të deklaruar prej më shumë se 100 milionë lekësh, në rast se sponsorizojnë ekipe sportive. Pra, nuk do të paguajë tatimin prej 15 përqindësh për 30 milionë lekë.
Dy ligje të tjera të ndryshuara janë ai i TVSH-së dhe ligji “Për Taksat Kombëtare”, të ndryshuar ku janë përjashtuar nga detyrimet makinat historike, është hequr TVSH për makinat elektrike, është reduktuar në masën e 6% TVSH për mjetet e transportit publik që kanë motor elektrike si dhe janë insentivuar makinat luksoze duke reduktuar tatimin që duhet të paguajnë.
Ndërsa ndryshimet më të mëdha janë bërë në ligjin për procedurat tatimore, pasi është përshtatur me ligjin e fiskalizimit, ku ka një masë të shtuar për gjobat ndaj bizneseve që konstatohen në shkelje. Nga 1 janari fillon edhe implementimi gradual i aplikacioneve të reja të fiskalizimit që do të përdoren tashmë për të printuar faturat elektronike. Ky sistem do të sjell sipas Ministrisë së Financave dhe Drejtorisë së Tatimeve ulje të informalitetit pasi çdo shitje blerje do të monitorohet në kohë reale.