Hynë në sistemin e agjencisë belge
vodhën 139 mijë €, pranga 3 të rinjve     

TIRANE - Hakuan llogarinë bankare të kompanisë ajrore belge duke transferuar ilegalisht 139 mijë euro drejt llogarive personale në Shqipëri, prangosen tre të rinjtë nga kryeqyteti.

Pas dy muajve hetime nga njësia e krimeve kompjuterike në kryeqytet është bërë i mundur identifikimi i 3 personave përkatësisht Fabian Kuqit, Elvi Memaj dhe Marsen Vathit. 

Tre të rinjtë pasi kanë kryer transfertën ditët e para të janarit 2015, janë paraqitur në një bankë të nivelit të dytë për të tërhequr paratë, por banka ka refuzuar të ekzekutojë tërheqjen e shumës duke pasur dyshime për burimin e tyre.

Banka ka njoftuar Sektorin e Krimit Ekonomik, nga ku ka rezultuar më pas një skemë e vjedhjes me anë të sulmeve kompjuterike.

Një burim pranë Njësisë së Krimeve Kompjuterike tha për A1Report se Kuqi, Memaj e Vathi dyshohen dhe për një sërë sulmesh të tjera kompjuterike me pasojë vjedhjen e shumave të konsiderueshme pasi nga hetimet ka rezultuar se ata bënin një jetë luksoze që nuk justifikohet nga të ardhurat e tyre.

Arrestimet janë kryer me urdhër të gjykatës e cila ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg ndaj të rinjve.

Njoftimi i Prokurorise se Tiranes
Me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për 3 shtetas, të dyshuar për konsumimin e veprës penale “Mashtrimi kompjuterik”.

Në bazë të një materiali referues të Policisë së Shtetit, Prokuroria e Tiranës, konkretisht seksioni i krimit kompjuterik, ka arritur të evidentojë se shtetasit Elvi Memaj, Marsen Vathi dhe Fabian Kuqi, nëpërmjet ndërhyrjes në sistemin kompjuterik të një kompanie fluturimesh në Belgjikë, kanë kaluar në llogaritë e tyre bankare shumat 100 mijë euro dhe 39 mijë euro. Këto shuma, shtetasit nuk kanë arritur t’i tërheqin, pasi janë bllokuar nga bankat në Shqipëri, të dyshuara se mund të ishin përfitim i paligjshëm.
Në vijim të veprimeve hetimore të Prokurorisë, gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj 3 personave të dyshuar. Këto vendime të gjykatës janë ekzekutuar nga ana e forcave të Policisë së Shtetit.

Nga aktet e administruara rezulton se në muajin janar 2015, shtetasit Elvi Memaj, Marsen Vathi dhe Fabian Kuqi, duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin, nëpërmjet ndërhyrjes së paligjshme në sistemin e një shoqërie fluturimesh në Belgjikë, kanë transferuar në numrat e llogarive të tyre në dy banka të ndryshme në Shqipëri, përkatësisht shumat 100,000 euro dhe 39,000 euro. Transfertat janë realizuar sikur janë kthyer nga tregtari (kompania ajrore) si “Kthim parash”, ose “refund” i pagesave të mëparshme të kryera nga shtetasit Elvi dhe Marsen. Provohet se shtetasit Elvi Memaj, Marsen Vathi, në asnjë rast nuk kanë transferuar para në drejtim të shoqërisë ajrore belge. Transfertat nga kjo shoqëri të shumave 100,000 euro dhe 39.000 euro, në favor të tyre, janë realizuar nëpërmjet ndërhyrjes së paligjshme në sistemin kompjuterik të shoqërisë. Dy shtetasit Elvi dhe Marsen, janë paraqitur pranë bankës për të kryer tërheqjet e shumave, por ky veprim është bllokuar nga banka. Në këto kushte shtetasit Elvi Memaj, Marsen Vathi dhe Fabian Kuqi, kanë konsumuar veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”, në bashkëpunim, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 143/b i Kodit Penal. 

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 16 Janar, 08:35

    Dhëndri i Trump investitor strategjik për resort në Sazan, si iu duket?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi në Frontline/ Ardhja e Trump, më shumë se gjysma mendojnë se marrdhëniet SHBA-Rama do mbeten njësoj, 25.2% shohin përkeqësim

Sondazhi në Frontline/ Ardhja e Trump, më shumë se gjysma mendojnë se marrdhëniet SHBA-Rama do mbeten njësoj, 25.2% shohin përkeqësim