PRISHTINË, 13 Janar /ATSH/.-Ministri kosovar i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, priti sot në takim zyrtaren amerikane për programin që është përgjegjëse për portofolin e Kosovës në kuadër të byrosë për Çështje Ndërkombëtare të narkotikëve dhe zbatimit të ligjit, zyra për Evropë dhe Azi (INL/EA), Kate McFarland.
Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, falënderoi zyrtaren amerikane për mbështetjen e vazhdueshme që kanë dhënë dhe po vazhdojnë të japin Shtetet e Bashkuara të Amerikës në forcimin e Institucioneve të Kosovës, veçanërisht të agjencive që kanë të bëjnë me zbatimin e ligjit.
Njoftimi i dërguar nga Ministria thekson se në këtë takim u diskutua për format dhe modalitet për mbështetje nga qeveria e SHBA-së, për projektet e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Të dy palët u dakorduan që përkrahja edhe në të ardhmën nuk do të mungojë./ATSH/