Kamber Sulçaj, i akuzuar për vrasjen e biznesmenit italian Edoardo Sarchi në Tepelenë më 27 shtator, është lënë në burg pa afat. 48-vjeçari doli para Gjykatës së Shkallës së Parë në Gjirokastër dy ditë pasi u vetëdorëzua në Prokurori, për vlerësimin e masës së sigurisë së arrestit në burg. 

Prokurorja e çështjes Blerina Musabelli paraqiti aktet e grupit hetimor nga vendngjarja dhe rrethanat deri në vetëdorëzimin e Sulçajt. Më pas, avokati i tij nga Vlora, Arsenal Zotaj ka paraqitur ndër të tjera edhe faktin e dorëzimit të klientit, duke e konsideruar si një rrethanë lehtësuese. Vetë 48-vjeçari ka qëndruar i heshtur përgjatë gjithë seancës së vlerësimit të masës së sigurisë. Avokati është shprehur se do ta ankimojë në Apelin e Tiranës masën e burgut pa afat që u dha nga gjyqtarja Entela Selmanaj.

Ngjarja e rëndë ndodhi mesnatën e 27 shtatorit. Për tre ditë u mbulua me mister. Më 29 shtator, policia njoftoi se kishte zbardhur ngjarjen dhe kishte shpallur në kërkim Sulçajn si autor të dyshuar. 

Ngjarja ndodhi teksa Edoardo Sarchi ndodhej në shtëpinë e pushimit të mikut të tij në Salari, Eqerem Braçit. Të dy u nisën për të ndihmuar dy djemtë e Braçit, Gazmend dhe Daniel, të cilët kishin pësuar defekt me makinën pasi kishin dalë për gjueti. Gjatë rrugës ata u përballën me një automjet që drejtohej nga Kamber Sulçaj, i cili kishte ndezur dritat e gjata. Aty mendohet të ketë nisur një debat që i ka nxjerrë palët nga makinat e tyre, pasi dritat e gjata nuk po fikeshin duke penguar shikimin.

Sulçaj nuk e ka lënë me kaq dhe duke i ndjekur nga pas teksa italiani dhe miku i tij po i shkonin në ndihmë djemve që kishin dalë për gjueti, ka qëlluar me armë gjahu në drejtim të makinave të ndaluara. Një plumb rikoshet me asfaltin, kapi në arterien kryesore në këmbë, dhe la të pajetë Edoardo Sarchin, i cili mendohet se fshihej pas makinës.

Kamber Sulçaj u pikas nga policia pas këqyrjes së kamerave të sigurisë në zonë. Pas vrasjes, Sulçaj u afrua në një zonë të thellë malore midis fshatrave Nivicë dhe Bolenë. Automjeti i autorit dhe veshjet e asaj nate, u gjetën së bashku me automjetin e braktisur pranë një stani. Aty gjithashtu u gjet një çantë me 2 dylbi (termik dhe me rreze infra), 1 elektrik dore dhe 1 mbajtëse arme.

Kamber Sulçaj rezulton që të jetë aksioner në një gurore në Brataj të Selenicës në Vlorë, të quajtur ‘Stone Quramenga”. Sulçaj posedon edhe një stan me bagëti. Edhe familjarët e tij rezultojnë me precedentë penalë. Në maj 2021, në Vlorë, efektivët i arrestuan të vëllanë, Gazmend Sulçajn së bashku me një kushëri të tyre Roel Sulçajn, pasi u kapën me 2632 fara kanabisi të cilat do t’i shisnin me qëllim kultivimin.