Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë ka lënë në fuqi vendimin e pafajësisë për Redion Hysën, i akuzuar për vrasjen e efektivit të Policisë, Xhulio Prela, ngjarje e ndodhur më 5 dhjetor 2020 në Gajush të Lezhës.
Më herët, Hysa ishte shpallur i pafajshëm edhe nga Gjykata e Shkallës së Parë në Lezhë. Për shkak të kompleksitetit të çështjes, Apeli vendosi të hapte pjesërisht shqyrtimin gjyqësor, duke administruar prova dhe të dhëna shtesë për të verifikuar rrethanat e ngjarjes.
Fillimisht, për këtë vrasje u shpall në kërkim Brilant Martinaj. Megjithatë, gjatë hetimeve, një mesazh anonim informoi autoritetet se arma e krimit ishte fshehur në depozitën e ujit pranë banesës së Redion Hysës. Pas kontrollit, arma u gjet në vendin e sinjalizuar, ç’ka bëri që procedimi ndaj Martinajt të pushohej dhe Hysa të merrej i pandehur.
Megjithatë, gjatë shqyrtimit gjyqësor në themel, u arrit në përfundimin se provat nuk e implikonin Redion Hysën si autor të vrasjes së Xhulio Prelës. Ky vendim u konfirmua tashmë edhe nga Gjykata e Apelit, duke i dhënë formë të prerë pafajësisë së tij.
Komente







