Pas katër viteve në burg, që prej 14 dhjetorit 2021, ish ministri i Mjedisit Lefter Koka është tashmë i lirë. Vendim i gjyqtarit të GJKKO, Bib Ndreca, e ka shuar pengesën e fundit të Lefter Kokës drejt lirisë, masën e sigurisë për inceneratorin e Fierit. Për këtë dosje, ish ministri Koka ndodhej në burg që prej 29 marsit 2022 dhe për GJKKO afati 3-vjeçar i paraburgimit që lejon Kodi tashmë ka kaluar dhe gjykimi i mëtejshëm duhet të vijojë në liri.

Për inceneratorin e Fierit Lefter Koka është dënuar me gjykim të shkurtuar 6 vite e 8 muaj burgim nga GJKKO e shkallës së parë për akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe shpërdorimit të detyrës, por ende nuk ka një vendim të formës së prerë pasi dosje u rikthye në Gjykatën e Apelit, ku e risolli Gjykata e Lartë.

Sa i përket dy dënimeve të tjera ndaj Lefter Kokës, atë për incenerarorin e Elbasanit dhe atë të Tiranës , ish ministri e kishte fituar më herët lirimin nga burgu. 

Më 25 korrik 2025, Lefter Koka, në një seancë me dyer të mbyllura, mori nga Gjykata e Durrësit vendimin për liri me kusht për dënimin për të njëjtat akuza si Fieri me 6 vite e 8 muaj burg (me gjykim të shkurtuar) për inceneratorin e Elbasanit. Për këtë dënim, i vetmi që ka marrë formë të prerë, ish ministri i Mjedisit ndodhej në burg që prej 14 dhjetori 2021, si masa e parë e sigurisë e marrë ndaj tij, dhe bashkë me paraburgimin i kishin mbetur më pak se një vit e gjysmë.

Për të marrë lirimin me kusht nga gjyqtari i Durrësit Xhevdet Lika, si gjykata kompetente për shkak të vendit ku Lefter Koka vuante dënimin, ish ministrin e ndihmoi sjellja e mirë në burg por edhe situata e tij shëndetësore. Më herët në GJKKO Lefter Koka ka marrë shuarjen e masës së sigurisë “arrest me burg” për inceneratorin e Tiranës, pasi dënimi i marrë me 2 vite burg për “shpërdorim detyre” në shkallë të parë është ezauruar me paraburgimin.

Pikërisht situata shëndetësore e tij, sidomos muajt e fundit, e kishte detyruar ish ministrin të linte herë pas herë ambientet e burgut të Durrësit dhe të shtrohej në spital.  Edhe ky vendim i GJKKO që i dha lirinë këtë të enjte e gjeti Lefter Kokën në një spital privat, duke u kuruar për problemet në zemër. Nga momenti që mjekët do të vendosin largimin e tij nga spitali, Koka do të jetë një qytetar i lirë.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë