Gjykata e Posaçme rrëzon kërkesën e Ermir Ndreaj për ndryshim të masës së sigurisë, i akuzuar për trafikimin e 6 tonë drogë drejt vendeve të BE-së. Vendimi u dha nga gjyqtari Erjon Bani.

Biznesmeni i arrestuar nga SPAK nën dyshimin se ka kryer trafik ndërkombëtar droge, kërkoi zbutje të masës me argumentin se ka probleme shëndetësore.

Ermir Ndreaj njihet për jetën e tij luksoze, pasi është pronar i disa kompanive dhe restoranteve të luksit. Ai ka qenë pronar i “Cinco Cavalli”, një ndër klubet më të njohura të jetës së natës.

Biznesmeni është arrestuar në muajin korrik të këtij viti, në kuadër të një operacioni të kryer nga Prokuroria e Posaçme, ku ranë në pranga 6 persona, ndërsa 7 të tjerë u shpallën në kërkim.

Në pranga u vunë vëllezërit biznesmenë Artur dhe Klevis Hoxhosmani, biznesmeni Ermir Ndrejaj, Ilir Lloshaj, ndërsa dy të akuzuarve te tjerë  Erion Alibej dhe Plarent Dervishajt iu komunikua masa nga qelia, pasi të dy ndodhen në paraburgim nën akuzë për një tjetër dosje, atë të Plumbit të Artë.

SPAK e zbërtheu grupin kriminal në saj të komunikimeve në Sky Ecc dhe Encrochat. Ishte hetimi që Prokuroria e Posaçme kishte nisur për grupin kriminal që kishte planifikuar atentatin ndaj ish-Prokurorit Arjan Ndoja që çoi në zbulimin e grupit që mbushi me kokainë gjithë Europën.

Emra të njohur të botës së krimit, si Palurent Dervishaj, i penduari Erion Alibej, por edhe Hoxhosmani apo bosi i ‘Cincos’, Ermir Ndreaj, ishin pjesë e grupit me 16 anëtarë në total që trafikuan të paktën 6 ton kokainë, me vlerë tregu 411 milionë Euro.

SPAK ka të dokumentuar aktivitetin e tyre kryesisht në vitin 2020 ku tonelata droge kanë kaluar nga Ekuadori për në vendet e BE. Një ndihmë për zbardhjen e aktivitetit të  grupit ka dhënë edhe bashkëpuntori i drejtësisë Erjon Alibej, edhe ky pjese e ketij grupi.