Gjykata e Posaçme me kërkesë të SPAK ka liruar nga qelia, Enio Meçajn, që është arrestuar në qershor të vitit të kaluar si bashkëpunëtor i Artan Tafanit e grabitjen Exchange në zonën e Astirit.

Kërkesa për ndryshimin e masës së sigurisë nga "arrest në burg" në "detyrim paraqitje" mësohet se është bërë nga prokurori i çështjes dhe miratuar më pas nga gjykata.

Meçaj është njeri i afërt i Laert Haxhiut dhe ditën e arrestimit ai ka qenë në zonën e "Astirit" në Tiranë.

Enio Meçaj, u arrestua në muajin qershor 2023, pas ngjarjes së grabitjes së 30 mijë eurove në pikën e këmbimit valutor Exchange dhe Tele.co në Tiranë.

Sipas dosjes hetimore Meçaj, i ka vënë në dispozicion autorit të dyshuar një garazh automjetesh, dhe me veprimet dhe mosveprimet e tij ka penguar policinë për zbulimin e së vërtetës, duke pretenduar se nuk e njeh personin që ka në posedim garazhin.

Gjatë kontrollit të garazhit u gjetën biçikleta dhe veshjet e përdorura nga autori gjatë ngjarjes.

Në 24 qershor, Artan Tafani nën kërcënimin e armës ka arritur të grabisë 30 mijë euro nga pika e këmbimit vaultor në Tiranë dhe më pas u largua me biçikletë.