Një argjendar në Dubai ka transformuar një trofe të Kupës së Botës të bërë me LEGO, të montuar nga djali i tij, në një objekt të zbukuruar me diamante me vlerë rreth 81,000 dollarë.
Hemant Karamchandani, i cili zotëron një dyqan argjendarie në Dubai, tha se nuk ka në plan ta shesë veprën.
“Nuk kemi vendosur ende se ku do të përfundojë, qoftë për bamirësi apo edhe në Muzeun e së Ardhmes në Dubai, pasi ka pasur interes”, tha ai.
Trofeu ka rreth 900 diamante të vendosura në flori 18 karatë. Secili diamant ka dizajn të veçantë dhe është punuar me dorë.
Djali i Karamchandani, Yash, 10 vjeç, kaloi tri ditë duke ndërtuar modelin. Babait të tij iu deshën edhe 35 ditë të tjera për të përfunduar pjesën finale.
Ai filloi duke shtuar diamante në pllakën me emrin e Kupës së Botës FIFA.
“Trofeu i Kupës së Botës ishte një proces i gjatë sepse më duhej të përshtasja saktësisht çdo pjesë me një element prej ari. Duhej të përshtatej në mënyrë perfekte, gjë që mori kohë,” tha Karamchandani.
Trofeu zyrtar i Kupës së Botës është i punuar me dorë me ar 18-karatësh dhe vlerësohet rreth 250,000 dollarë.
Për shkak të rëndësisë së tij historike, pasi është prekur nga disa nga futbollistët më të mëdhenj në histori, përfshirë Pelé, Diego Maradona, Zinedine Zidane dhe Lionel Messi, ai është siguruar për 20 milionë dollarë.
Trofeu origjinal që do t’u dorëzohet fituesve të Kupës së Botës në stadiumin MetLife në Neë Jersey të dielën, më 19 korrik, peshon 6.14 kg dhe përbëhet nga flori 18-karatësh në 75% të tij.
Ai është krijuar nga artisti italian Silvio Gazzaniga në vitin 1974 dhe paraqet dy persona që mbajnë lart Tokën.
Vendi fitues nuk e mban trofeun origjinal, i cili është i ekspozuar në muzeun e FIFA-s në Zyrih, por në vend të tij u jepet një kopje bronzi e larë në ar.
Komente










