Amar Koçi pak ditë më parë arriti një rezultat të jashtëzakonshëm në kampionatin evropian të boksit të zhvilluar në Hungari. Ai zunë vendin e tretë dhe arriti të marrë medaljen e bronztë edhe pse është vetëm 19 vjeç, ndërsa kundërshtarët përfshirë bullgarin në gjysmëfinale ishin 23-vjeçarë.

“Duke parë kundërshtarët kisha shanse edhe për vendin e parë, por gjatë këtij viti kam patur shumë dëmtime. Nuk jam stërvitur plotësisht,”-u shpreh fillimisht Amari.

Amari beson se do të kishte marrë medaljen e arit nëse arbitritat sipas tij, do të ishin treguar më të drejtë.

“Unë kam një lloj boksimi që quhet luftë-presion. Kundërshtari s’e duronte dot dhe më mbante gjithë kohës. Mori dy faulle për këtë, por edhe më pas vazhdonte të më mbante. Ndoshta mund të kishte një tjetër faull dhe unë duhet ta fitoja, por arbitri s’e mendoi kështu. Duhet ta kisha marrë unë atë ndeshje,”-deklaroi boksieri 19-vjeçar.

Artur Koçi, trajneri dhe babi i Amarit, është krenar për arritjet e të birit, por shprehet i zhgënjyer nga mbështetja e  munguar nga shteti. Ai thotë se në Hungari udhëtuan me të ardhurat e tyre, dhe ngre një shqetësim që prek shumë sportistë dhe boksierë në veçanti.

“Amari dhe dy djemtë e tjerë të ekipit kanë marrë medalje dhe nuk janë shpërblyer nga ministria e Arsimit. Jemi lodhur duke bërë ankesa si ne ashtu edhe federata por akoma s’i kemi marrë këto shpërblime,”-tha Koçi.

Për Report TV Arturi shprehet se në këto kushte është e vështirë t’i motivojë boksierët e rinj.

“Këto demoralizohen. Ne mundohemi t’i mbajmë me shpresa, por kjo është një gjë e rëndësishme: përse s’na i japin shpërblimet?!”-deklaroi trajneri Artur Koçi.

Për këtë situatë Report Tv iu drejtua Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit e cila me anë të drejtorit elitar të sportit në ministri, Kejdi Tomorrit, u shpreh se është në dijeni të rasteve, por për shkak se më herët ka qenë në kompetencë të ministrisë së Arsimit dhe Sportit nuk mund të kthej një përgjigje konkrete. Sipas Tomorrit aktualisht po shkëmbehen dokumentacionet dhe kur të ketë një përgjigje do ta bëjë atë publike.

Me vendim të Këshillit të Ministrave me datë 15 dhjetor 2021 është miratuar edhe tabela e shpërblimeve për sportistët të cilët arrijnë medalje në kampionatet vendore dhe ndërkombëtare. Për sportistët e rinj, siç është edhe rasti Amarit, shpërblimi reduktohet në 30% në krahasim më të rritur. Në rastin në fjalë, për medaljen e bronztë në Evropian, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit duhet ti akordojë Amarit 300 mijë lekë, por sipas Arturit, babait dhe trajnerit të tij, ka 3 vite që shpërblimet nuk po jepen.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë