Policia e Beratit në bashkëpunim me atë të Kuçovës ka vendosur në pranga një 49-vjeçar, i dënuar në Itali me 29 vite burg për trafik të lëndëve narkotike dhe organizatë kriminale.
I arrestuari i identifikuar si Armando Pjetri, strehohej në Kuçovë nga një 53 vjeçar, i cili gjithashtu u arrestua.
Gjatë kontrollit të kryer në banesën e ndodhur në lagjen “1 Maji”, blutë sekuestruan edhe një sasi kanabisi.
Pjetri pritet të ekstradohet drejt vendit fqinj.
Operacioni për kapjen e tyre u kodua ‘Rrjeta’.
Njoftimi i policisë:
Si rezultat i një pune operacionale të mirorganizuar, të kryer nga Drejtoria Vendore e Policisë Berat, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kuçovë dhe me DFPO-në, në drejtimin e Prokurorisë së Beratit, u finalizua operacioni “Rrjeta”.
Në kuadër të operacionit, u vunë në pranga:
-shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar, Armando Pjetri, 49 vjeç;
-shtetasi A. H., 53 vjeç, banues në Kuçovë, për veprat penale "Përkrahja e autorit të krimit", dhe "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve".
Gjykata e Apelit në Napoli e ka dënuar 49-vjeçarin, që strehohej nga 53-vjeçari, me 29 vjet burgim, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të organizatës kriminale.
Në banesën ku strehohej shtetasi i kërkuar ndërkombëtarisht, në lagjen “1 Maji”, u gjet një sasi lënde narkotike Cannabis Sativa që u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.
Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me Interpol Romën, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e shtetasit Armando Pjetri, në Itali. Ndërkaq, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Beratit, për veprime të mëtejshme.
Komente









