ELBASAN- Një 37 vjecar i dënuar për vrasje ka shfrytëzuar lejen për tu larguar nga burgu dhe për të mos u kthyer më për të përfunduar 2 vitet që i kishin mbetur për të vuajtur.

Lulzim Paja, vuante dënimin në Burgun e Sigurisë së Lartë të Peqinit. Dje përfundonte lejen që i kishte dhënë drejtoria dhe duhej të kthehej në Institutin e Ekzekutimit të Dënimeve Penale në Peqin, por nuk ka ndodhur.

Zëdhënësja e Policisë se Elbasanit, Valbona Begu, tha se “shtetasi Lulzim Paja, 37 vjeç, me banim në fshatin Shtërmen të rrethit të Elbasanit, ka thyer lejen e dhënë nga drejtoria dhe nuk është paraqitur në burg. Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme, ku pasi është pritur dhe është verifikuar që 37 vjeçari nuk është kthyer në burg, drejtoria e institucionit ka kryer denoncimin në Polici për ngjarjen e ndodhur“.

Mësohet se Policia ka shkuar në banesën e 37 vjeçarit ku është verifikuar se ai ka qenë në banesë gjatë tre ditëve të lejes e më pas është larguar.

Policia ka nisur kërkimet për të gjetur 37 vjeçarin, Ai ishte dënuar me 17 vjet burg për vrasjen e bashkëfshatarit të tij në 1997. Paja kishte kryer 15 vite dënim, dhe i kishin mbetur vetëm dy vite.

Nuk është rasti i parë që të dënuarit shfrytëzojnë lejen e dhënë nga drejtoritë e burgjeve për tu arratisur dhe për të mos kthyer më në vendin e vuajtjes së dënimit.