I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi viziton Prishtinën, takim me Kurtin

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi viziton Prishtinën, takim me Kurtin

Miroslav Lajçak

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, po takohet të enjten në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Kjo është vizita e dytë në Kosovë në më pak se një muaj e Lajçakut. Ai më 15 shtator ishte takuar me Kurtin dhe zëvendësin e tij, Besnik Bislimi. Diplomati evropian kishte thënë se qëllimi i vizitës së tij në Prishtinë kishte qenë “çuarja përpara” e procesit të dialogut që ndërmjetësohet nga BE-ja.

Vizita e Lajçakut në Kosovë më 13 tetor po ashtu vjen në kohën kur mediat kanë raportuar se Franca dhe Gjermania, u kanë paraqitur Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, një propozim për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Vuçiq deklaroi më 8 tetor se Parisi dhe Berlini kanë propozuar që shteti i tij të lejojë që Kosova të anëtarësohet në institucione dhe organizata ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, në këmbim të anëtarësimit të shpejtë të Serbisë në BE.

Ndërkaq, Kurti tha më 12 tetor se nuk ka propozim për marrëveshje finale.

“Ka diskutime, ka opsione, ka teste e sprova, por nuk mund të them që ka diçka të ngurtësuar që do ta prezantonim në formë përfundimtare”, tha Kurti gjatë një konference për media në Prishtinë.

Ambasadat e Francës dhe Gjermanisë në Prishtinë nuk kanë konfirmuar nëse ekziston një propozim i tillë, por krerët e këtyre dy shteteve, Emmanuel Macron dhe Olaf Scholz, në shtator, përmes një letre të dërguar në shtator, kërkuan nga Kurti dhe Vuçiq të jenë të gatshëm për vendime të vështira në dialog.

Përveç shteteve evropiane, që po tentojnë të shtyjnë përpara palët drejt një marrëveshjeje, Shtetet e Bashkuara po ashtu po kërkojnë që takimet të intensifikohen.

Në këtë kuadër, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, më 11 tetor, tha se ka biseduar me Kurtin dhe Vuçiqin për nevojën e “intensifikimit të procesit të dialogut drejt një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme me njohje reciproke në qendër të saj”.

Kosova dhe Serbia që nga viti 2011 zhvillojnë në dialog nën ndërmjetësimin e BE-së. Këto dy shtete, megjithatë kanë qëndrime të kundërta sa i përket përfundimit të dialogut. Përderisa Prishtina kërkon që një marrëveshje përfundimtare të përfshijë njohjen reciproke, Beorgadi kërkon një zgjidhje kompromisi, por pa elaboruar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë./REL

S.C/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Akt sabotazhi në Baltik? BE kërcënon Rusinë me sanksione

Akt sabotazhi në Baltik? BE kërcënon Rusinë me sanksione