TIRANË - Dosja e hetimit për ish-drejtorin e Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, bashkë me tetë zyrtarë të tjerë, që akuzohen për abuzime me 3.1 milionë dollarë i ka kaluar sërish Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm, këtë herë për ta plotësuar me prova të reja.
 
Lajmi është bërë nga burime të Prokurorisë së Tiranës, që kanë në dorë hetimin për skemën e përvetësimit të rreth 3.1 milionë dollarëve nga buxheti i Policisë së Shtetit nëpërmjet spoteve publicitare “Shqipëria pa Viza” për kompaninë “Promo” të Frangajt.  
 
Në datën  15 dhjetor 2013 Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm e referoi në Prokurorinë e Tiranës dosjen për abuzimet me reklamat, ku kallëzohej penalisht ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, zëvendësdrejtori i Përgjithshëm, Rasim Borishi dhe tetë anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në këtë drejtori.
 
Pas kallëzimit të tyre në prokurori, krerët e Policisë së Shtetit, përjashtuan nga detyra: ish-zëvendës Drejtorin e Përgjithshëm, Rasim Borishi; ish-kryetarin e Vlerësimit të Ofertave, Kole Kukaj; si dhe 7 anëtarë të komisionit Adelina Marashi, Liza Tafili, Klejda Plangarica, Meri Papakostandini, Besjana Martini, Islam Cenga dhe Agim Hysko.
 
Burime nga Prokuroria e Tiranës kanë bërë të ditur se, gjatë verifikimeve të dosjes së sjellë nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, janë parë disa mangësi dhe për këtë qëllim është rikthyer, që të plotësohet me elementët e plotë.
 
Spoti televiziv “Shqipëria pa viza” ka kushtuar 1.2 milionë euro.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)