“Po Anisa ku është?” Vajza 7-vjeçare nuk po gjendej askund. Në breg të liqenit biologjik “Acquaviva”, në Caraglio të Italisë, kishin mbetur vetëm shapkat e saj rozë. Animatorët dhe stafi i parkut nisën ta thërrasin dhe ta kërkojnë. Minutat kalonin dhe askush nuk e shihte. Më pas u thirrën ekipet e shpëtimit. Zhytësit e gjetën trupin e saj në fund të liqenit, ne dy metra thellësi.
Ngjarja ndodhi më 24 korrik 2024. Anisa Murati ishte pjesë e një grupi fëmijësh në një kamp veror të organizuar nga kisha në zonën Valle Stura. Tani, për vdekjen e saj, prokuroria e Cuneos kërkon që gjashtë persona të dalin në gjyq për vrasje nga pakujdesia.
Sipas hetimit, bëhet fjalë për një seri gabimesh që u lidhën njëra me tjetrën: nga mënyra si u mbajtën nën vëzhgim fëmijët, deri te mungesa e masave të sigurisë në park.
Mes personave nën hetim janë projektuesi dhe drejtuesi i punimeve, inxhinieri Stefano Ferrari, përgjegjësi teknik i bashkisë Graziano Viale, menaxheri i parkut Roberto Manzi, prifti i Demontes që organizoi kampin veror don Fabrizio Della Bella, si edhe dy animatoret e reja që duhej të kujdeseshin për fëmijët. Ferrari dhe Viale akuzohen edhe për falsifikim dokumentesh.
Gabimi i parë, sipas prokurorisë, ndodhi që në hyrje të parkut. Fëmijëve iu vendosën byzylykë me ngjyra që tregonin nëse dinin apo jo të notonin. Anisës iu dha një portokalli, që përdoret për ata që dinë not. Por ajo nuk dinte dhe duhej të kishte një byzylyk jeshil.
Kjo bëri që vajza të afrohej te liqeni pa krahëza shpëtimi. Prokurori thotë se dy animatoret nuk e mbajtën nën kontroll dhe nuk u siguruan që fëmijët të ishin të mbikëqyrur siç duhet, edhe pse uji ishte i turbullt dhe fundi i liqenit i rrëshqitshëm.
Në hetim del edhe organizatori i ekskursionit, prifti don Fabrizio Della Bella. Ai nuk ishte aty atë ditë dhe, sipas akuzës, kishte dërguar shumë fëmijë me shumë pak animatorë. Hetuesit thonë se ai e dinte që ata shpesh vepronin me pak kujdes dhe nuk kontrolloi si po menaxhohej grupi. Madje menaxheri i parkut e kishte telefonuar për t’i thënë se fëmijët nuk po mbaheshin nën vëzhgim, por ai nuk ndërhyri.
Edhe menaxheri i parkut akuzohet se nuk kishte marrë masat bazë të sigurisë. Në zonë mungonte një plan emergjence, nuk kishte mjaft roje plazhi, nuk kishte rrethim në breg të liqenit dhe as tabela që tregonin thellësinë e ujit dhe pjerrësinë e fundit. Po ashtu mungonte edhe një ndarje lundruese që të ndante zonën për fëmijët që nuk dinë të notojnë nga ajo për notarët.
Sipas hetimit, këto elemente ishin parashikuar në projektin e parkut, por nuk u zbatuan siç duhet. Për këtë arsye në hetim janë përfshirë edhe drejtues të bashkisë, të cilët dyshohet se kanë firmosur dokumentet që vërtetonin përfundimin e punimeve, edhe pse objekti kishte probleme dhe nuk ishte në përputhje me projektin./CorrieredellaSera
----------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente








