LONDËR – Ish-princi Andrew është liruar nga policia britanike pas 12 orësh në paraburgim, pas arrestimit të mëngjesit në Sandringham. Vëllai i mbretit Charles III mbetet nën hetim me dyshimin se ka ndarë informacione të rezervuara me financierin amerikan Jeffrey Epstein, në kohën kur shërbente si i dërguar për tregtinë i qeverisë britanike.

Një ngjarje pa precedent

Lajmi konsiderohet tronditës dhe i paprecedentë në historinë moderne britanike. Andrew Mountbatten-Windsor – siç quhet tashmë pasi i janë hequr titujt mbretërorë – u arrestua pikërisht në ditën e 66-vjetorit të lindjes së tij.

Gjashtë automjete policie mbërritën në banesën e tij të përkohshme, pasi ai ishte larguar nga rezidenca Royal Lodge me 30 dhoma në Windsor, ku kishte jetuar për 20 vjet. Ish-duka i York-ut u shoqërua në komisariat dhe qëndroi në paraburgim për disa orë.

Deklarata e mbretit

Mbreti Charles reagoi me një deklaratë zyrtare, duke theksuar se drejtësia duhet të ndjekë rrugën e saj:

“E kam mësuar me shqetësim të thellë lajmin për Andrew Mountbatten-Windsor dhe dyshimet për sjellje të papërshtatshme gjatë ushtrimit të një funksioni publik. Çështja do të ndiqet përmes një procesi të plotë, të drejtë dhe korrekt nga autoritetet kompetente. Ato kanë mbështetjen dhe bashkëpunimin tonë të plotë. Ligji duhet të bëjë rrugën e tij. Ndërsa procedura vazhdon, nuk është e përshtatshme të bëj komente të tjera. Familja ime dhe unë do të vazhdojmë detyrën tonë ndaj vendit.”

Edhe William, Prince of Wales dhe Catherine, Princess of Wales kanë shprehur mbështetje për deklaratën e mbretit. Më 9 shkurt, ata kishin reaguar publikisht për zbulimet nga dosjet Epstein, duke u shprehur “thellësisht të shqetësuar” dhe duke menduar për viktimat e rrjetit ndërkombëtar të shfrytëzimit seksual.

Akuzat ndaj Andrew

Andrew është arrestuar për shpërdorim detyre, por ende nuk është ngritur zyrtarisht akuza. Dyshohet se rreth një dekadë më parë, kur ishte përfaqësues tregtar i qeverisë britanike, i ka kaluar dokumente të ndjeshme qeveritare Epstein-it. Këto dyshime dalin nga dokumentet e publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, të njohura si “Epstein Files”.

Në të njëjtat dokumente përmendet edhe ish-ambasadori britanik në Uashington dhe ish-ministër në qeverinë Brown, Peter Mandelson, por ndaj tij nuk ka masa zyrtare.

Sa i përket akuzave të tjera – përfshirë pretendimet se Andrew mund të ketë qenë “përdoruesi përfundimtar” i disa vajzave të trafikuara nga Epstein – ai nuk është arrestuar për këto dyshime. Megjithatë, sipas burimeve, të paktën nëntë struktura policore në Mbretërinë e Bashkuar po shqyrtojnë edhe këtë aspekt të çështjes.

Çfarë ndodh tani

Sipas BBC, ndalimi paraprak në Britani mund të zgjasë deri në 96 orë vetëm me miratim gjykate. Normalisht, brenda 12–24 orëve policia vendos nëse do të: ngrejë akuza zyrtare, lirojë të dyshuarin me hetime në vazhdim,ose të heqë dorë nga çdo akuzë.

Andrew do të qëndrojë në një qeli sigurie individuale me kushte bazë, përfshirë një shtrat dhe tualet.

Kryeministri britanik Keir Starmer deklaroi se “askush nuk është mbi ligjin”. Edhe politikani i djathtë Nigel Farage kishte kërkuar që Andrew të merrej në pyetje për çështjen Epstein.

Policia po kryen kontrolle edhe në një tjetër rezidencë në Berkshire, përveç asaj në Sandringham, në një ditë që konsiderohet historike për Mbretërinë e Bashkuar./ La Repubblica

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:59
Në qeli dhe pa privilegje, BBC zbulon sa orë mund të qëndrojë Andrew në paraburgim

BBC raporton se afati maksimal për të cilin ish-princi Andrew mund të mbahet në paraburgim është 96 orë, por kjo do të kërkonte disa zgjatje nga oficerë të lartë policie dhe nga Gjykata e Magjistratëve.

Në shumicën e rasteve, të dyshuarit mbahen për 12 ose 24 orë dhe më pas ose akuzohen, ose lirohen në pritje të hetimeve të mëtejshme.

Andrew do të vendoset në “një qeli në ambientet e paraburgimit”, me vetëm “një shtrat dhe një tualet”, ku do të presë deri në marrjen në pyetje nga policia. Nuk pritet që të ketë trajtim të veccantë për të.

Deri më tani nuk ka asnjë informacion se ku po qëndron ish-princi.

Ora 14:51
Arrestimi i ish-princit Andrew, familja e një prej viktimave të Epstein: Zemrat tona u ngushëlluan

Foto: Ish-princit Andrew dhe Virginia Giuffre

Familja e Virginia Giuffre ka reaguar pas arrestimit të ish-princit Andrew, duke deklaruar se “askush nuk është mbi ligjin”.

Në një deklaratë vëllezërit dhe motrat e saj, Amanda Roberts, Danny dhe Lanette Wilson, thanë se lajmi për arrestimin e Andrew Mountbatten-Windsor u ka dhënë njëfarë ngushëllimi.

“Më në fund, sot, zemrat tona të thyera u ngushëlluan nga lajmi se askush nuk është mbi ligjin, madje as familja mbretërore”, u shprehën ata.

Familja falënderoi gjithashtu Thames Valley Police për hetimin dhe arrestimin.

“Në emër të motrës sonë, Virginia Roberts Giuffre, shprehim mirënjohjen tonë për Policinë e Luginës së Thames në Mbretërinë e Bashkuar për hetimin dhe arrestimin e Andrew Mountbatten Windsor”, thuhet në reagimin e familjes, teksa nëvizojnë se ‘Andrew nuk ka qenë kurrë princ’.

Ora 14:00
Starmer pas arrestimit të ish-princit Andrew: Askush nuk është mbi ligjin

Foto: Keir Starmer

Kryeministri britanik Keir Starmer ka deklaruar se Andrew Mountbatten-Windsor duhet të dëshmojë para autoriteteve në Mbretërinë e Bashkuar sa i përket lidhjes së tij me  ish-financierin Jeffrey Epstein.

Në një intervistë me BBC-në, Starmer theksoi se "kushdo që ka informacion relevant duhet të dalë përpara", duke shtuar se kushdo që ka informacion mbi "çdo aspekt të dhunës ndaj grave dhe vajzave" ka "detyrën të dalë përpara, kushdo që të jetë".

" Të gjithë janë të barabartë para ligjit dhe askush nuk është mbi ligjin.Është një parim i hershëm dhe duhet të zbatohet në këtë rast, ashtu siç do të zbatohej në çdo rast tjetër", tha kryeministri.

Ora 13:12
Arrestimi i ish-princit Andrew, Mbreti Charles III: Drejtësia ka mbështetjen dhe bashkëpunimin tonë!

Foto: Andrew Mountbatten-Windsor dhe Mbreti Charles III

Mbreti Charles III ka reaguar pas arrestimit të vëllait të tij, ish-princit Andrew Mountbatten-Windsor, nën dyshimet për abuzime me detyrën publike.

Në deklaratën e tij Mbreti thotë se mbështet drejtësinë dhe ligjet.

Deklarata e plotë

Kam mësuar me shqetësim të thellë lajmet rreth Andrew Mountbatten-Windsor dhe dyshimet për keqmenaxhim në detyrën publike.

Tani do të ndiqet një proces i plotë, i drejtë dhe i duhur, për të cilin çështja do të hetohet në mënyrën e përshtatshme dhe nga autoritetet kompetente.

Siç kam thënë më parë, ata kanë mbështetjen dhe bashkëpunimin tonë të plotë dhe të sinqertë.

Le të bëj të qartë: ligji duhet të ndjekë rrugën e tij.

Ndërsa ky proces vazhdon, nuk do të ishte e drejtë të shpreh koment të mëtejshëm mbi këtë çështje.

Ndërkohë, familja ime dhe unë do të vazhdojmë detyrën dhe shërbimin tonë për ju të gjithë.

Charles R.

Ora 13:06
Vëllai i Mbretit Charls, i pari anëtar i lartë i familjes mbretërore në historinë moderne që arrestohet (VIDEO)

Andrew Mountbatten-Windsor është anëtari i parë i lartë i familjes mbretërore në historinë moderne që arrestohet.

Bastisja e policisë vjen pas emaileve të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së, të cilat duket se tregojnë ish-dukën duke ndarë raporte për vizitat zyrtare në Hong Kong, Vietnam dhe Singapor.

Një email, i datës nëntor 2010, duket se është dërguar nga Mountbatten-Windsor pesë minuta pasi është dërguar nga këshilltari i tij i atëhershëm special, Amir Patel.

Një tjetër, në prag të Krishtlindjeve të vitit 2010, duket se i dërgoi Epsteinit një informacion konfidencial mbi mundësitë e investimit në rindërtimin e provincës Helmand, Afganistan