TIRANË - Kryetari i Lëvizjes socialiste për Integrim Ilir Meta deklaroi gjate një konference për shtyp, se rëndësi ka funksionimi i Byrosë Kombëtare të hetimit, dhe jo se në varësi të cilit institucion do të jetë. Ai deklaron se  nëse drafti i Venecias nuk lexohet njësoj, palët politike mund t’i drejtohen për interpretim misioneve të EURALIUS-it e OPDTAT-it. Meta kërkoi uljen e tensioneve dhe arritjen e konsensusit për reformën në Drejtësi për të  mundësuar miratimin sa më shpejt të saj.​
 
...
Vota e Lëvizjes Socialiste për Integrim për Byronë Kombëtare të Hetimit, nuk do të kushtëzohet nga emri i institucionit që të komandojë këtë strukturë. Nëse do të jetë nën Ministrinë e Brendshme apo Prokurorinë, për Ilir Metën, ka pak rëndësi, mjafton që drafti final të ketë miratimin e ndërkombëtarëve.

"Për ne ka rëndësi të funksionojë. Për ne ka rëndësi që të japë atë kontribut që duhet, pra atë kontribut të munguar për fat të keq deri tani në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe absolutisht që do të votohet çdo variant i cili i shërben këtij qëllimi dhe që ka dhe mbështetjen e ekspertëve ndërkombëtarë", tha Meta.

Duke u bërë thirrje PD-së e PS-së që të gjejnë gjuhën për reformën në drejtësi në tryezën e komisionit të Fatmir Xhafës, Meta sqaroi se nuk ka asnjë plan B siç deklaroi kryeministri për këtë reformë, përveç dakordësisë së Venecias.

"Ekziston që në fillim në mendjen time vetëm një plan, për miratimin e reformës dhe për miratimin e saj sipas standardeve të Komisionit të Venecias. Plane të tjera çdo forcë politike mund të ketë, por unë mendoj që të gjitha energjitë pozitive duhet t’i përqendrojmë te ky plan. Nuk është koha për t’u zhvendosur nga përpjekja për ta materializuar këtë reformë, sepse është bërë një punë e madhe, është bërë punë shumë e madhe. Ka përpjekje për të krijuar tensionime të panevojshme me çështja të cilat nuk janë përparësia kryesore e vendit, por unë besoj te përgjegjësia e të gjithë aktorëve politikë, tani të përqendrohemi këtu", u shpreh Meta.
 
Kreu i Kuvendit u bëri thirrje palëve të lenë takticizmat dhe alibitë për të vonuar reformën. Në rast se nuk bien dakord të kërkojnë ndihmën e EURALIUS-it dhe OPDAT-it.

"Aty ku mund të ketë lexime apo kuptime të ndryshme për çështje të caktuara, ne përsëri kemi misionin e EURALIUS, kemi misionin OPDAT-it dhe së bashku me ta mund të bëjmë një lexim më objektiv të çdo opinioni për çështje të caktuara të Komisionit të Venecias. Në rast se dëshirojmë të krijojmë pretekste, të krijojmë alibi, të merremi me takticizma nga më të ndryshmet, kjo gjë padyshim që asnjëherë nuk na bashkon dhe nuk na çon drejt konsensusit. Por unë dua të besoj në vendosmërinë e të gjithëve për ta çuar përpara këtë reformë në interesin e vendit", - u shpreh kryeparlamentari.

Raporti përfundimtar i Komisionit të Venecias për reformën në drejtësi, u lexua ndryshe nga politika shqiptare, ku mazhoranca e pa si vulosje të draftit të ekspertëve me disa sugjerime plus, ndërsa opozita e përktheu në fitore të saj përballë kapjes politike që kryeministri sipas tyre donte t'i bënte sistemit gjyqësor.

Kryeparlamentari zbuloi gjithashtu se maxhoranca po negocion me opozitën për dekriminalizimin dhe pas takimit mes Taulant Ballës dhe Oerd Bylykbashit, të mërkurën mund të mblidhet Këshilli i Rregullores dhe Mandateve për të plotësuar një ndër kushtet për të cilat PD bojkotoi kuvendin dhe përdori vezët ndaj kryeministrit.

"Sa i takon vezëve, mendoj se është një formë e rëndomtë e komunikimit dhe e luftës politike, dhe shpresoj që të ketë qenë hera e fundit seanca e ditës së enjte, pasi unë besoj se qytetarët tanë kanë nevojë të na shohin duke punuar së bashku për këto çështje që janë më të rëndësishme. Ka opozita disa shqetësime, disa mendime të saja, ato janë në axhendën tonë, përfshirë edhe zbatimin e detyrimeve të Kuvendit për dekriminalizimin, për të cilën presim diskutimin e z. Bylykbashi dhe z. Balla sot. mund të mbledhim edhe Këshillin e Rregullores dhe Mandateve gjatë ditës së nesërme", - përfundoi Meta.