I përzgjedhuri i zotit Donald Trump për drejtues kombëtar për çështjet e emigracionit ka një përvojë mbi 30 vjeçare në këtë fushë. Gjatë fjalimit në Kuvendin Kombëtar të Republikanëve të këtij viti, zoti Tom Homan tha se çdo president është zotuar se do të rregullojë çështjen e kufirit, por vetëm Presidenti Trump e ka mbajtur premtimin.
“Kufiri, gjatë udhëheqjes së tij, ishte më i sigurti në historinë tonë. Ky është një fakt që mbështetet nga të dhënat në terren. Ai do ta bëjë të njëjtën gjë sërish”, tha zoti Homan.
Gjatë fushatës zgjedhore, zoti Trump është zotuar për deportime masive të emigrantëve pa dokumente.
“Sapo të marrë detyrën, do të fillojë programin më të madh të deportimeve në historinë amerikane”, tha zoti Trump.
Pavarësisht që ekspertët thonë se nivelet e krimit në vend nuk janë të lidhura me numrin e emigrantëve, zoti Homan thotë se deportimet do të përmirësojnë gabimet e administratës së Presidentit Joe Biden.
“Presidenti Trump do t’i japë fund çmendurisë së vendimit të administratës së Presidentit Biden për ta mbajtur kufirin të hapur. Ne nuk do të lejojmë që drogat dhe krimin të depertojnë në lagjet tona”, thotë ai.
Zoti Homan ka shërbyer si drejtor i agjencisë përgjegjëse për zbatimin e ligjeve të emigracionit (ICE) në administratën e parë të Presidentit Trump. Gjatë asaj periudhe arrestimet që u bënë për qëllime deportimi u rritën me 40%.
“Në përgjithësi, deportimet kanë shënuar rënie pasi kufiri po kontrollohet më mirë se sa është kontrolluar për 45 vjet”, tha zoti Homan.
Emigracioni i paligjshëm ishte një nga çështjet më të rëndësishme për votuesit në zgjedhjet e këtij viti. Analisti politik Francisco Rodríguez thotë se zoti Homan punon me qasjen e ‘tolerancës zero’ për këtë çështje.
“Nëse jeni kriminel dhe keni familje këtu, Homan ka thënë se mund të largoheni së bashku me fëmijët dhe bashkëshortët. Askush nuk po thotë se familja do të ndahet”, thotë zoti Rodríguez
Ish ligjvënësja e Floridas Daisy Baez thotë se kandidati që ka zgjedhur zoti Trump për këtë çështje, është një paralajmërim për emigrantët.
“Nëse nuk jeni shtetas apo banor i përhershëm, nuk keni asnjë garanci se do të qëndroni. Ka shumë mundësi që do të jeni në listën e atyre që do të deportohen”, thotë ajo.
“Unë kam një mesazh për emigrantët që hynë në mënyrë të paligjshme dhe që Joe Bideni i la të lirë brenda vendit tonë, në kundërshtim me ligjin federal: Filloni të bëni gati valixhet”, thotë Tom Homan.
Zoti Homan, ish polic në Nju Jork, ka kontribuar në hartimin e ‘Projektit 2025’, një propozim i politikave që është publikuar nga organizata konservatore Fondacioni ‘Heritage’. Propozimi i këtyre politikave, sipas autorëve, është bërë që “të shpëtohet vendi nga kapja prej të majtës radikale”./ VOA