Me ditën e nesërme hyn edhe i ftohti arktik. Temperaturat do të vazhdojnë të bien dhe në datën 7 janar në vendet malore temperatura minimnale do të shkojë deri në – 20 gradë celcius.

Ndërsa ne vendet e ulëta dhe bregdetare temperaturat minimale do të arrijnë -9 dhe -6 gradë. Hidrometeorologu Metod Marku, për Report TV është shprehur se kjo është java më e ftohtë e vitit.
 
“Situata e motit në këtë fillimviti është pak problematike sepse së pari presim një rënie të theksuar të temperaturave që do jenë më problematike në zonën bregdetare dhe të ulët për arsye që popullata dhe autoritet janë të pamësuar me vlera të tilla të temperaturave. Nesër në mbrëmje presin që gjithë territori gjatë natës të kalojë në vlera negative por këtu theksojmë faktin që edhe një ditë më pas, të premten gjatë ditës i gjithë territori do të mbetet në temperatura negative “, thotë Marku.
 
Sipas parashikimeve ekziston mundësia që Shkodra të zbardhet nga bora, ndërkohë që reshje do të ketë në të gjithë vendin.
 
“Në fakt me këto vlera temperaturash pritet që dëbora të shfaqet më poshtë, pritet që shfaqet në nivelin zero në veri-perëndim të Shqipërisë por në pjesën tjetër të territorit pritet të zbresë deri në 300 metra”, shton ai.
 
Ngricat do të jenë prezentë në të gjithë sipërfaqen e vendit. Metod Marku jep edhe këshillën për vendosjen e zinxhirëve në qarkullimin rrugor.
 
“Shqetësimi kryesor është sidomos në fund të ditës së enjte dhe gjatë ditës së premte, duhet të jetë ditët e para kur temperaturat do të jenë negative. Kujdes duhet bërë për ngricat në rrugë pasi ndërprerja e reshjeve do të pasohet me një ulje temperaturash që mund të krijojë ngrica”, thotë Marku.
 
Pas ditës së hënë pritet që temperaturat të fillojnë të ngrihen.

Moti me video/ Parashikimi për ditët në vijim, temperaturat do arrijnë deri -20

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com