Bashkia e Tiranës u shprehu sot mirënjohjen të gjithë vullnetarëve dhe strukturave shtetërore, që u bënë bashkë për të përballuar me sukses situatën emergjencës që kaloi Tirana në javën e shkuar për shkak të ftohtit polar që përfshiu të gjithë vendin tonë.

Gjatë një takimi ku morën pjesë përfaqësues të emergjencave civile, shërbimit zjarrfikës, shërbimeve sociale, policisë bashkiake, si dhe individë të ndryshëm që iu bashkuan thirrjes së Bashkisë së Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj vlerësoi rolin që luajtën të gjithë në një situatë të pazakontë për një qytet si Tirana, duke bërë të mundur që të kalojë pa asnjë incident.

“Ajo që kam më përzemër janë historitë fantastike të këtyre 10 ditëve të fundit në qytetin tonë sepse ka qenë një periudhë që mua më ka frymëzuar shumë, më ka bërë të kuptoj sa i bekuar jam që punoj me të gjithë ju, e sa mirënjohës jam për punën e të gjithëve! Sot jemi në një fazë ku të gjithë e pranojmë se sa më shumë të bëjmë, aq më shumë zbulojmë që duhet bërë, se sa më shumë u morëm me kopshtet e çerdhet, aq më shumë zbuluam sa dramë ishin shkollat. Por, nuk ka njeri në këtë qytet që kur shikon përpjekjen titanike që secili bëri në këtë fazë të vështirësive, thotë se ka një përpjekje të sinqertë për t’i çuar gjërat përpara”, tha Veliaj.

Në mënyrë të veçantë, ai shprehu falenderimin e tij për punën që bëri Policia Bashkiake, duke u angazhuar në këtë mision human dhe duke shpëtuar jetë njerëzish.

Unë e di fare mirë çfarë do të thotë të jesh në Policinë Bashkiake. Së pari, sepse nga të gjitha skuadrat me uniformë, është ajo e paguara më pak; së dyti, ka trashëguar ndoshta imazhin më të rëndë nga e kaluara. Po unë di të them këtë që kush e pa sjelljen e Policisë Bashkiake këto 10 ditë, sot ka një mendim totalisht ndryshe për dinjitetin që i është kthyer uniformës së Bashkisë së Tiranës nga policia jonë e re bashkiake”, shtoi Veliaj.

Një tjetër falenderim shkoi edhe për punonjësit e shërbimeve sociale, të cilët krijuan ngrohtësinë e duhur për të pritur afro 200 persona, shumica në gjendje rruge, pensionistë dhe fëmijë.

Më tej kryetari i Bashkisë ka theksuar se edhe një herë Tirana tregoi se është solidare dhe se di të japë më të mirën kur e kërkon situata. Për këtë, ai shprehu mirënjohjen e tij për të gjithë ato biznese dhe familje tiranase që kontribuuan duke ofruar ushqime, veshje në qendrat sociale.

Nuk keni ushqyer vetëm disa njerëz keni ushqyer një kulturë të re, edhe kulturën e të shërbyerit, pavarësisht nëse je i këtij qyteti, apo jo, pavarësisht se je sipërmarrës apo i pastrehë, dhe unë besoj se shembulli juaj na ka frymëzuar të gjithëve”, theksoi Veliaj.

Në fjalën e tij, kryebashkiaku lajmëroi dhe nismën më të re të Bashkisë për të kthyer një nga qendrat sociale në një hapësirë ku personat në situatë rruge mund të strehohen gjatë natës.

Ai bëri të ditur se një tjetër masë që Bashkia do të marrë për të qenë e përgatitur për situata të tilla emergjence është edhe ajo për të krijuar një rezervë të saj në ushqime, veshje dhe shtretër.

Kryetari i Bashkisë shpërndau edhe medaljet e mirënjohjes për të gjithë ata që u angazhuan në këtë situatë emergjence.

[gallery]20636[/gallery]

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com