LEZHE - I është dhënë lamtumira e fundit gjyqtarit lezhjan Rigers Pjetrushi, i cili humbi jetën pas një aksidenti fatal në dalje të Gjirokastrës. Qindra qytetarë lezhjanë, kolegë, futbollistë si dhe kreu i LSI-së Ilir Meta dhe familjarë të Pjetrushit kanë bërë homazhe në nderim të këtij sportisti që paraqiti vlera si futbollist ashtu edhe si gjyqtar futbolli.

Homazhet në nderim të figurës së të riut pjetrushi janë zhvilluar në stadiumin e qytetit të Lezhës, duke përcjellë me dhimbje humbjen që ka përjetuar, familja, sportdashësit dhe sporti në përgjithësi. Të afërm, kolegë, përfaqësues të Federatës shqiptare të futbollit dhe sportdashësit lezhjanë kanë ndarë dhimbjen me familjen për humbjen e sportistit Pjetrushi.

Rigers Pjetrushi, gjyqtari i katërt i takimit Luftëtari-Kastrioti humbi jetën pasi makina me të cilën udhëtonte sëbashku me 3 gjyqtarët e tjerë të këtij takimi u përplas me një tjetër mjet në dalje të Gjirokastrës.

Pjetrushi do të niste karrierën e tij si futbollist me moshat e Besëlidhjes dhe më pas edhe me ekipin e të rriturve. Shumë shpejt do të bëhej edhe pjesë e disa ekipeve në Superlige, ndërsa së fundmi do të angazhohej si albitër i katërt, mision që e la përgjysmë si pasojë e një aksidenti fatal, i cili i mori jetën.

(Gre.M/Shqiptarja.com)