Lamtumirë Leon Çika, fotoreporteri dhe piktori i ‘gjallë’ deri në fund! Miqtë rrëfejnë projektet e lëna përgjysmë

Vetëm një ditë para se zemra ta linte në moshën 70-vjeçare, piktori dhe fotoreporteri Leon Çika, e kishte ndjerë se nuk ishte mirë. Në një kafe poshtë shtëpisë me mikun e tij, fotoreporterin Agim Dobi i rrëfeu se nuk ndihej mirë, por të gjithë njerëzit afër tij, nuk e kishin menduar fundin tek një njeri me forcë të jashtëzakonshme shpirtërore dhe me kurajë të madhe.

Një vit më parë, Çika kishte kryer një operacion mjaft të vështirë, por, megjithatë siç miqtë tregojnë, nuk ra në depresion, ishte optimist për jetën dhe vazhdoi të punojë deri në momentin e fundit.

“E kam pasur shokun më të afërt. Problemi nuk është se iku një njeri, të gjithë do të ikim, por na e bëri me të pabesë. Deri ditën e fundit jam takuar me të. Ai kishte një sërë problemesh, por kishte shumë kurajë. Çdo ditë ai postonte në Facebook perla, jo fotografi, por perla, gjëra shumë të bukura.”, - thotë fotografi Agim Dobi, një prej miqve të tij më të afërt.

Familjarë, miq e kolegë e nderuan artistin i cili u përcoll këtë të shtunë në banesën e fundit, në një ceremoni private në Tiranë. Adrian Devolli, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Leon Çikës deri në momentet e fundit, rrëfen disa prej projekteve që artisti la përgjysmë.

"Ishte një ekspozitë e mrekullueshme nudoje me fotografi. Ishte një ekspozitë për Firencen, ku ai kishte materiale të jashtëzakonshme. Ishte dhe interpretimi i një objekti, siç është ‘Ponte Vecchio’ në Firence, e parë dhe e ri-interpretuar në situata të ndryshme. Pra, të marrësh një objekt të vetëm dhe ta bësh në mbi njëzet variante, kjo kërkon një forcë të madhe artistike dhe shpirtërore.”, - tregon Devolli.

Artist i kompletuar dhe me punë të mrekullueshme në artin figurativ dhe në fotografinë artistike, Çika dha kontribut si fotoreporter dhe gazetar me fotoreportazhe të jashtëzakonshme.

“Kemi bërë shumë ekspedita në pjesë të ndryshme të Shqipërisë. Ai ishte i fokusuar në krijimtarinë e tij dhe adhuronte Gjirokastrën, adhuronte Beratin dhe një pjesë e mirë e peizazheve të tij janë nga sokakët e Gjirokastrës.Në Gjirokastër ka një rrugë në Pazarin e Vjetër, që i thonë Sokaku i Leonit, pasi atje ka bërë një numër shumë të madh peizazhesh, që janë dhe punët që ai dashuronte më shumë.”, - thotë gazetari Engjëll Serjani.

Leon Çika u diplomua në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, në degën grafikë – dizajn në vitin 1976. Herën e parë që u njoh me fotografinë ishte pas përfundimit të studimeve, kur u emërua piktor skenograf në Pallatin e Kulturës në Gramsh.

B.G/E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

I shpallur në kërkim ndërkombëtar, arrestohet 34-vjeçari në Britani! GJKKO i kishte vënë masën 'Arrest në burg' për grup të strukturuar kriminal (EMRI)

I shpallur në kërkim ndërkombëtar, arrestohet 34-vjeçari në Britani! GJKKO i kishte vënë masën 'Arrest në burg' për grup të strukturuar kriminal (EMRI)