Pas përplasjes në Kuvend me Flamur Nokën, deputeti socialist Ardit Bido kësaj radhe ka denoncuar me pamje pallatin ku Noka dyshohet se përvetësoi banesat e të pastrehëve dhe ua dha familjarëve të tij. Në vitin 2010, Enti i Banesave ndërtoi 2 pallate për të pastrehët në Sarandë.

Por, në njërin prej tyre, me pamje nga deti dhe Korfuzi, siç thotë deputeti Bido, u vendosën familjarët e Nokës, të cilët edhe pse nuk kishin asnjë lidhje me Sarandën dhe nuk ishin të pastrehë, 3 muaj para shpërndarjes së banesa, befas dolën me pasaportizim në Sarandë.

Në një video të postuar në rrjetet sociale, Bido thotë se në pallatin tjetër, pa pamje nga deti, u vendosën familjet nevojtare sarandjote, ndërsa banesa të tjera iu dhanë të afërmve të Nokës, e familje të tjera që vinin nga Kukësi, apo nga Belgjika dhe përfituan apartamente në qytetin bregdetar të Sarandës.

“Njëri pallat ka ballkon e ka pamje nga deti e Korfuzi. Tjetri nuk ka ballkon dhe ka pamje nga pallat tjetër para. Në vitit 2010, Enti i Banesave vendosi të ndërtojë këto dy pallate në Sarandë. Në njërin ishin sarandjotët të pastrehë dhe që u takonin të merrnin shtëpi. Në tjetrin, atë me ballkone dhe pamje nga deti, ishte një familje Noka, një familje e kunatit Noka, një familje e baxhanakut Noka, e disa familje të tjera të cilat pavarësisht se nuk kishin lidhje me Sarandën, jetonin në Novosejë të Kukësit, në Bruksel, në Tiranë, befas dolën jo vetëm me pasaportizim në Sarandë 3 muaj para se të ndaheshin shtëpitë, por edhe me apartamente si të pastrehë në Sarandë. Kishin miliona, kishin miliarda, këtë nuk di ta them, ama nevojë për të qenë të pastrehë nuk kishin”, shprehet Bido.

Ky është Flamur Noka thotë Bido, i cili nuk e di kur është ngritur flamuri, por di se kur është ngritur Pallati i Entit të Banesave.

“Ky është Flamur Noka, ai flamuri i cili nuk e di kur është ngritur flamuri, nuk e di se kush e ka ngritur flamurin, ku është ngritur flamuri, por di se kur është ngritur pallati i entit të banesave, kush e ka ngritur pallatin e Entit të Banesave dhe se si ato apartamente nuk përfunduan në pronë të nevojtarëve sarandjotë, por të jonevojtarëve kuksianë. Flamur Noka është epitomia e se si s’duhet bërë politika. Këtë që ju po e shihni sot nuk ka nevojë që unë ta denoncoj me letra, se në PD ku denoncimi është një pasion i zjarrtë, e kanë denoncuar kolegët e tij në SPAK dhe është një nga gjërat për të cilat hetohet flamuri pa bisht që nuk e di se kush e ka ngritur flamurin”, vijon Bido.

Për këtë denoncim deputeti thotë se nuk ka nevojë për letra, pasi është vetë SPAK që ka nisur hetimet, i cili dyshohet për fshehje pasurie, pastrim parash dhe shpërdorim detyre. Kur Noka ishte drejtor i Bordit të Entit Kombëtar të Banesave (viti 2008), duke përdorur funksionin publik dyshohet se u dha katër banesa nga fondi i të pastrehëve në qytetin e Sarandës familjarëve të tij, dy vëllezërve që jetonin në Belgjikë, gruas së vëllait dhe motrës që jeton në Kamëz.

_____________

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë