Erind Lasku i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK për trafik droge në kuadër të operacionit të koduar “Ura”, është ekstraduar nga Italia në Shqipëri.
Në prill, GJKKO me kërkesë të SPAK, caktoi për Laskun masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
I arrestuari pjesë e grupit të Elvis Doçit i njohur edhe si Visi i Pojës, kishte rolin e lehtësimit të transfertave monetare, të përfituara nga trafiku i drogës.
5 nivele të transferimit të miliona eurove nga Italia në drejtim të Shqipërisë u dokumentuan nga SPAK dhe antimafia italiane për grupin kriminal të ‘Visit të Pojës’. Transferta më e madhe kapte vlerën deri në 3 milionë euro.
Çdo detaj i transfertave organizohej përmes komunikimeve në SKYECC, ndërsa ndiqej rrugëtimi nga persona përgjegjës, të vendosur nga grupi i Elvis Doçit. Sa për transportimin e mbi 332 mijë eurove, ato janë pritur nga Orgest Shqevi, i treti në hierarkinë e grupit kriminal të ‘Visit të Pojës’.
Operacioni “Ura” u finalizua në maj të këtij viti dhe kishte në fokus tre grupe të krimit të organizuar, me aktivitet të gjerë në trafikimin ndërkombëtar të drogës, kokainë e heroinë, pastrim parash dhe shpërdorim detyre. Hetimet nisën në 2016-ën dhe u intensifikuan në 2020-ën, ku zbuluan se rrjetet kriminale trafikonin drogë në Itali dhe vende të tjera të Evropës.
Njoftimi i policisë
Ekstradohet nga Milano, shtetasi që koordinoi pastrimin e parave të një grupi kriminal në Durrës, të fituara nga trafikimi i lëndëve narkotike.
Si rezultat i partneritetit shumë të ngushtë të specialistëve të Drejtorisë së Interpolit me ata të Interpol Romës, gjatë kësaj faze të operacionit “The Wanted”, u finalizua procedura e ekstradimit nga Italia, në Shqipëri, të shtetasit E. L..
Ai kërkohej ndërkombëtarisht, sepse GjKKO-ja, në muajin prill, 2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Komente










