I shpallur në kërkim që në nëntor të vitit 2023 si pjesë e një grupi kriminal të trafikut të kokainës nga Amerika Latinë në Europë, Eralbi Breçani, djali i ish- zv. drejtorit të Policisë së Tiranës, Erzen Breçani, është vetëdorëzuar në Spanjë.

Burime për Report Tv bëjnë me dije dorëzimi i Eralbi Breçanit është kryer të mërkurën, ndërsa kanë nisur procedurat midis 2 vendeve për të kryer ekstradimin e tij drejt Tiranës. Shqipëria ka një marrëveshje ekstradimi me vendin iberik, dhe dorëzimi vullnetar e bënë më të thjeshtë sjelljen e tij në vend për t’u përballur më akuzat.

Por për çfarë akuzohet konkretisht Eralbi Breçani?

Sipas SPAK, si pjesë e grupit të strukturuar kriminal pjesë e të cilit ishte Ergys Dashi dhe Ervin Mata, dyshohet financues dhe porositës i sasive të mëdha të kokainës nga përtej oqeanit. Atij i atribuohet, zbuluar përmes komunikimeve të “SkyECC” sasia e 446 kg kokainë e sekuestruar në Holandë në dhjetor të 2021, me bashkëpunëtorë edhe Ismail Zenelin e Besmir Murtatin. Të gjithë, në bashkëpunim me Ergys Dashin për gjetjen e lëndës narkotike, i ekzekutuar në Ekuador në vitin 2022. Edhe persona të tjerë sipas SPAK dyshohet se kanë qenë pjesë e grupit dhe bashkëpunuan me njëri-tjetrin në formën e strukturuar kriminale, për trafikimin e kësaj sasie kokaine. Sekuestrimi i kësaj ngarkese u bë edhe me arrestimin e një holandez.

Një muaj më vonë, më 18 shkurt 2021, u kapën 69 kg kokainë në Brazil. Sekuestrimi i kësaj ngarkese i atribuohet sërish Eralbi Breçanit si porositës dhe financues, dhe i të njëjtit grup, ndërsa vetë Ergys Dashi siguroi furnizimin me kokainë në Brazil dhe më tej edhe ngarkimin e saj në port me destinacion portet e Evropës, por që ishte rast i dështuar që në nisje.

I gjithë aktiviteti kriminal i trafikimit të kokainës që vinte nga Amerika Latine në vendet e Bashkimit Europian nga Eralbi Breçani, dyshohej se pastrohej brenda vendit nga babai i tij, ish-zv/drejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani. Me veprime aktive të kundërligjshme ka administruar dhe futur në qarkullim të ardhurat e përftuara nga droga të djalit Eralbi Breçani, me qëllim mbulimin e vërtetë të origjinës së tyre. Babë e bir kishin një synim të përbashkët, pengimin e identifikimit të origjinës së të ardhurave.

Përveç trafikut të narkotikëve, grupi ku bënin pjesë babë e bir, shfrytëzonin pozitat zyrtare të disa funksionarëve të agjencive ligjzbatuese shqiptare për të mbledhur dhe shpërndarë informacion të klasifikuar, të cilët i ndihmonte anëtarët e tij që t’i shmangeshin drejtësisë dhe të vijonin aktivitetin kriminal. Grupi është i përfshirë në sigurimin e kushteve për kryerjen e vrasjeve dhe në përkrahjen e autorëve të krimit, duke strehuar dhe ndihmuar persona në kërkim.

Në dosje, shfaqej Erzen Breçani duke komunikuar në “SkyECC” duke i dhënë Bujar Ajetit dhe të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumanit, informacione që të shmangin arrestimin nga policia. Ky grup i strukturuar kriminal arriti të integrojë dhe investojë paratë e krimit në investime të rëndësishme si një shoqëri hidrocentrali, por dhe në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme.

__________

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë