Historia e vdekjes së britanikes të Rebecca Gannon, 29 vjeç, gjatë një zhytje në Sarandë në vitin 2022, kthehet edhe njëherë në vëmendje pas rrëfimit që babai i saj ka dhënë në tabloidin britabik “Daily Mail”. Babai i saj George Gannon vijon ende të kërkojë drejtësi për vdekjen e vajzës së tij gjatë zhytjes në një ekspeditë nënujore turistike që organizohej nga "Spiranca Diving Center", në pronësi të Saimir Kushovës, ky i fundit i dënuar me 15 vite burg nga Norvegjia, pas një procesi për trafikun e drogës.
Duke folur ekskluzivisht për MailOnline, Gannon, 63 vjeç, nga Stone, Staffordshire, tha: "Kam kaluar pothuajse tre vjet në Shqipëri duke kërkuar drejtësi. Ka qenë e vështirë. Kam kaluar kohë larg familjes, por gjithçka që doja ishte që ky njeri të përballej me mua në gjykatë dhe tani ai është burgosur në Norvegji. Ky burrë është përgjegjës për vdekjen e vajzës sime dhe ai duhet të dalë në gjyq, thjesht doja që autoritetet shqiptare ta merrnin seriozisht atë që më ndodhi mua, vajzës time. Ne e morëm vesh vetëm disa javë më parë, e dinim se ai ishte arratisur pak kohë pasi Rebecca vdiq, por duket se ai përfundoi në Norvegji dhe u përfshi në disa operacione të kontrabandës së drogës”, ka rrëfyer ai.
“Që atëherë kemi zbuluar se ai u arrestua në Norvegji rreth gjashtë muaj pasi ishte larguar nga Shqipëria, por nuk e kishim idenë se ai ishte akuzuar, dënuar dhe burgosur për kontrabandë droge. Ndihet sikur ai po i shpëton drejtësisë, por unë kurrë nuk do të heq dorë nga lufta për të”, thotë babai i turistes britanike.

Në 2022, Gjykata e Sarandës vendosi ta hetojë në gjendje të lirë pronarin e "Spiranca Diving Center" nëpërmjet garancisë pasurore prej 1.5 milion lekë të reja. Ai kishte punësuar në mënyrë të paligjshme instruktoren e zhytjes Greta Brozi në grupin e tij të punës dhe nuk kishte siguruar kushtet e nevojshme teknike për zhytje.
Komente

