I kujt do të jetë shtatori?

I kujt do të jetë shtatori?

Monika Kryemadhi, Lulzim Basha dhe Sali Berisha

Ka disa ditë që shefat e opozitës, të shkuarit e të sotmit, paralajmërojnë se muaji shtator do të jetë ai i rrëzimit të qeverisë “Rama” dhe se, përmes një revolucioni opozitar, do të shkallmohet bota e mafias, do të marrë arratinë shefi i tashëm i qeverisë dhe gjithçka do të fillojë nga e para.

Shtatori është vërtet muaji nostalgjik i Berishës. 20 vite më parë, pikërisht kur Kosova ishte në udhëkryqin e saj më të madh, do të bëhej apo jo shtet i pavarur, “rastësisht” në të njëjtën kohë me ofensivën serbe dhe dezertimet e një grupi farkistësh të Bukoshit, Berisha provoi atë që sot quhet si grushti i shtetit i 14 shtatorit.

Dihet tashmë se si nisi gjithçka 20 vite më parë, si u nisën mitingashët demokratikas dhe republikanë të prirë nga një monarkist, çfarë vodhën, grabitën shkatërruan; dihet se si mbi tanke dhe makina të blinduara shëtisnin njerëzit e udhëzuar nga Izet Haxhia dhe ky i fundit në besë nga Sali Berisha; është i njohur momenti kur një farë Spahie thërriste në mikrofonin e RTSH se, “qeveria ra dhe se na jena tash qeveri”, ashtu si dihen nga të gjithë zbythjet pas një deklarate ndërkombëtare, tërheqja në bodrumet e selisë së tyre, ku më shumë kishte automatikë dhe mitralozë, se sa kishte njerëz.

Nostalgjia është e çuditshme: të bën të ëndërrosh dhe të krijosh në vete sajesën se një ditë shtatori, përmes një grupi, më shumë të paguar se sa idealistë, mund të rrëzosh qeverinë, mund të përmbysësh pushtetin dhe se pastaj, si nga një dorë e heshtur, mund të marrësh zyrat e ministrive dhe të vendosësh aty besnikët e tu.

Pamja fantazmagorike dhe turbulluese e disa të rinjve lësëistë në Jalë, të cilët si një kor naziskin bërtisnin për të shembur qeverinë dhe për të shkuar pas “burrneshës”, e bënin gjithçka edhe më pështiruese, pa folur pastaj për disa fëmijë, ende 10-vjeçarë, të cilët, si duket, i kishin marrë seriozisht fjalët e Petrit Vasilit dhe ishin nisur nga dielli i jugut për të shembur qeverinë.

Ka pesë vite, e diçka më shumë, qe Berisha bën të njëjtën thirrje: të shembet qeveria. Ende pa dorëzuar çelësat e zyrës së tij, të cilat i la diku në shtatorin e para 5 viteve, ish shefi i qeverisë bëri paralajmërimet si Kasandra greke: kjo qeveri do të shembet, këtë qeveri do e rrëzojmë, të ngrihemi në revolucion, ta shkallmojmë pushtetin e bijve të etërve, duke menduar se gropa financiare që kishte lënë pas vetes nuk do të mbushej kurrë.

Gjithçka është e qartë pse ndodh një thirrje e tillë: tek ai, megjithë pavendosmërinë e Rilindasve socialistë, është ende ndjenja e humbjes e bashkuar me drojën e së ardhmes.

Më mirë se gjithë të tjerët ai e di se kësaj here gjërat mund të shkojnë krejt ndryshe nga sa është pritur dhe se, lufta që i kanë shpallur diplomacisë ndërkombëtare nuk ka të bëjë as me Lu e as Vlahutin, dy nëpunës të zellshëm që përçojnë një vijë të ardhur nga larg; ajo ka të bëjë me mesazhet që përcjellin dhe që , askush tjetër nuk i ka mbi kokë si i ka ai.

A mund të ndodhë një 14 shtator tjetër, si ai para 20 viteve?

Berisha, Kryemadhi, Basha, një grup rreth tyre e dinë fare mirë se nuk mund të ndodhë. Detyra ia do t’i japin zemër vetes dhe të përpiqen të largojnë të keqen.

Prej kësaj treshe njeriu që do të mund të përpiqej të bënte diçka seriozisht, nëse do të kishte forcën e duhur, do të ishte Kryemadhi. Ajo, më mirë se kushdo tjetër, e di se, megjithë pispiqiket e Vasilit, LSI po vazhdon të shkërmoqet, ajo ka humbur elektoratin që mbahej përmes vendeve të punës dhe shumë prej tyre janë konvertuar lehtësisht në rozën e së majtës. Prova me të rinjtë e Jalës që kërkonin “burrneshën”, është nga ato sforcimi që mund të bëjë njeriu i cili ka dëshirën, por nuk ka forcën. Ajo ka të rinj pas vetes, gjithnjë në rënie, por ka pak mitingashë që janë të gatshëm të përplasen. I mungon goditja, dhe kjo nuk mund të vijë përmes një çizmeje. Prakticizmi i Metës ka rënë në një agresivitet çalamanësh dhe roli primar i Vasilit e zhyt edhe më tej në krizë një forcë politike që për 8 vite luajti “hapa, dollapa” në politikë.

Nëse Kryemadhi do të kishte mitingashët e Bashës dhe korpusin Azem Hajdari, atëherë mund të kishim një shtator turbullues.

Basha, mund ta dojë përmbysjen, por më tepër kërkon pjesën e tij. Ai është politikani që së pari të sheh nga duart, çfarë fiton, çfarë merr, çfarë nuk jep. I angazhuar në parti përmes familjes së tij politike, ai e ktheu atë në një fermë familjare, ku roli i kunatit dhe i gruas me njerëzit e saj është mbi parimin.

Basha do të donte të kishte një shtator të zi, por me kushtin që në fund ai të ishte fituesi i një shume miliona eurosh dhe të mos bëhej pis në kostumin e tij të javës.

Për të, si për pak kënd tjetër, më shumë vlen kurdisja e orës së dorës, takëmet e shtrenjta dhe pikturat e çmuara, se sa përplasja në rrugë. Edhe kur ngre zërin e kërcënon, të duket si një xhambaz, që pasi ka parë dhëmbët e kuajve, bën edhe pazarin.

Çadra ishte dëshmia e një politikanë që ka fitimin, joshjen, mashtrimin e gënjeshtrën në përparësinë e rrugës së tij, se sa një vizion e program politik.

Ai do të ishte i gatshëm për një kompromis politik, nëse i afrohen ato institucione, të cilat, si në qershorin e shkuar, i afronin pjesë të fitimit.

Berisha është njeriu më i interesuar, jo për partinë që drejtoi dhe e bëri lesheli, por për jetën e tij, familjen dhe të ardhmen. E ka ëndërruar gjithnjë vendin e tij në histori. Ende nuk e di se ku do të jetë: në fillimin e një piedestali apo në kosh. Nëse Vetingu i shkon çështjeve deri në fund, pra, nëse shtrihet edhe tek politika, koshi i duket më afër.

Do e ketë vështirë të gjejë pasues që lënë kokën për t; të varfër që përgjërohen për jetën e tij. Pasuesit po shohin nga foleja Basha, të varfrit shohin se si jeton i biri, i cili vetëm nga qiratë mund të bëjë jetë përrallore dhe nuk do ia kenë ngenë një 14 shtatori të dytë.

Jo çdo gjë mund të përsëritet. Rama, si thotë deri në ledhatimin e vetes Berisha, mund të jetë i ndrojtur dhe ka një pjesë të së drejtës, sepse për një shef qeverie kurajoz do të duhej të ishte përgjigjur disa herë para drejtësisë, por gjendja nuk është e njëjtë me atë të 20 viteve më parë.

Berisha nuk ka më gardën e tij gjysmë private e gjysmë shtetërore. 20 vite më parë, njerëzit e tij në Gardë dorëzuan mjetet e blinduara dhe u bënë pjesë e grushtit të shtetit. Ai nuk ka më njerëz që të jenë në gjendje të mbushin Shqupin politik me armatim, të lehtë e të rëndë, megjithëse ajo ka qenë dikur shtëpia e ushtarakëve dhe ia heq dera armën; ai nuk më banditët e Bukoshit, të cilët lan luftën në Kosovë dhe në marrëveshje me qeverinë malazeze e në përcjellje të saj, kaluan kufirin dhe u bënë pjesë e grushtit të shtetit.

Mbi të gjitha ai nuk ka më besimin se do të jetë edhe një herë njeriu i forcës, i mundësisë për të ardhur në pushtet dhe për të bërë shpërblimet si dikur.

Shtatori do të jetë një muaj si gjithë të tjerët. Mund të ketë ende njerëz që besojnë tek një shtresë e pasur politike dhe tek disa figura të shkërmoqura politike si Paloka, Dule…ku vajti ky?, Mediu i Gërdecit, Pollo i fijeve optike, Muli i përmjerjes parlamentare, Ristani që fut duart në kutitë e votimit sikur nxjerr një shishe raki “Skrapari”, balli i vockël që kërkon babain, Alibeaj, që tkurr zërin për të nxjerrë gjoksin, ..vogëlushet lësiste që ende nuk kanë marrë diplomën dhe duan politikën e madhe të rrugës, …në fund të fundit njerëzit do thonë natyrshëm: po ne i kishim këto, i provuam dhe e shikuan se çfarë malli ishin.

Rilindja duhet shkundur, kjo është një e vërtetë e ditur. Si të thuash, është një e fshehtë e hapur. Problemi është se kush do e lëkundë atë dhe cilët janë të aftë ta shkundin.

Rama mund të ketë droje, por jo nga këto.

Këto ngjajnë me idhullin e tyre, ish-kryeprokurorin Llalla, për të cilin desh dogjën dynjanë dhe i cili, çdo shtator thonte se këtë herë do të bëjmë namin.

Pastaj strukej dhe bënte llogaritë e tokave.

Këto, ende pa e pyetur hanxhinë, popullin, bëjnë llogaritë e tyre.

Nuk thonë kot: Llogaritë e shtëpisë, nuk dalin në Pazar./ DITA

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ardiani: 30/08/2018 01:14

    E vertete shtatori do jete rrezimi I diktatorit PRESIONI I OPOZITES + PRESIONI I DYSHES AHMETAJ GJIKNURI ESHTE E SIGURTE QE RAMA DO RREZOHET

    Përgjigju
  • Ardi: 29/08/2018 19:54

    Do jet shtatori i brekve, se cizmet u perdoren vjet..

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

“Goca e Kaçanikut” rikthehet në skenën e TKOB pas 45 vitesh

“Goca e Kaçanikut” rikthehet në skenën e TKOB pas 45 vitesh