Një avokat në kryeqytet ka rënë në prangat e policisë për mashtrim pas denoncimit nga një shtetas. 

Avokati Gazmir Xhurxhi është denoncuar nga klienti i tij, H.D, banues në Klos, se i ka marrë para duke e mashtruar me fatura dhe dokumente të falsifikuara. Burime zyrtare nga Policia bëjnë të ditur se arrestimi i avokatit është bërë pasi ai ka marrë shtetasit H.D, 59- vjeç një shumë prej 1.7 milionë lekësh të reja duke falsifikuar disa fatura dhe dokumente.

Mbi avokatin rëndon akuza e Mashtrim në shuma të mëdha", "Fshehje të ardhurave" dhe "Falsifikim i dokumentave".

Njoftimi i policisë:

Arrestohet një shtetas me profesion avokat për veprat penale "Mashtrim në shuma të mëdha", "Fshehje të ardhurave" dhe "Falsifikim i dokumentave".

Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, kanë finalizuar me sukses operacionin e përbashkët me metoda speciale të hetimit të koduar “Avokati”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë ndalimi i shtetasit:

Gazmir Xhurxhi, 35 vjeç, banues Tiranë, avokat.

Arrestimi i shtetasit të sipërpërmendur u bë për veprën penale “Mashtrim në shuma të mëdha", "Fshehje të ardhurave" dhe "Falsifikim i dokumentave" parashikuar nga nenet 143/2, 180 dhe 186 i K.Penal”, pasi; shtetasi Gazmir Xhurxhi me profesion avokat, i ka marrë nëpërmjet mashtrimit 1.700.000 lekë, (1.7 miljonë lekë të reja), duke falsifikuar disa fatura dhe dokumenta shtetasit; H. D, 59 vjeç, banues në Klos.

Materialet proçeduriale iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Redaksia Online
D..T/Shqiptarja.com