TIRANE- Gjyqtari Lazër Sallaku i cili vendosi pak ditë më parë mbylljen e çështjes së lobimit rus për PD si dhe lirimin për 6 të dyshuarit e dosjes “Toyota Yaris”, pas një hetimi 3-vjeçar ka vendosur sot pushimin për dosjen 'CEZ' në Gjykatën e Tiranës, ku është i përfshirë edhe Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha.

Hetimet për procedurën e privatizimit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes nga kompania çeke 'CEZ' në vitin 2007, e cila u konsiderua korruptive, nisën në vitin 2016, duke dërguar përpara organit të akuzës një numër të lartë zyrtarësh të cilë u morën në pyetje, përfshirë edhe Shkëlzen Berishën, djalin e ish-kryeministrit Berisha. Kjo solli edhe ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar i drejtuar nga Taulant Balla, i cili në finale të tij arriti në konkluzionin se nga procedura e privatizimit të shtetit i ishte shkaktuar një dëm prej 414 milionë eurosh.

Rreth një muaj më parë, Taulant Balla dorëzoi në Gjykatën Penale një kërkesë për transferimin e dosjes 'CEZ' për hetim në SPAK. Jashtë dyerve të gjykatës Balla tha se dëshmitari kyç Nuel Kalaj nuk është marrë në pyetje, dhe Prokuroria e Tiranës është mjaftuar me një letërp porosi të dërguar në Kosovë, dhe se çështja nuk mund të mbyllet për shkak se personi nuk gjendet.

Një tjetër proces që lidhet me privatizimin e 'CEZ' ajo ndaj ish-zyrtarëve të hetuar për mashtrim me mbledhjen e borxheve Ian Ivan dhe Josef Hysek është pezulluar në Gjykatën e Tiranës duke përfunduar në kushtetuese. Ka qenë më herët gjyqtari Sokol Tona i cili nga tetor 2019 ka kërkuar interpretim nga kushtetuesja nëse mund t'i gjykojë apo jo dy çekët të cilët pretendojnë se kanë imunitet penal nga marrëveshja e ratifikuar në parlamentin shqiptar për zgjidhjen me marrëveshje të konfliktit me CEZ.