TIRANE- Kreu i Grupit Parlamentar Taulant Balla ka depozituar në emër të Kuvendit, në Gjykatën Penale një kërkesë për transferimin e dosjes 'CEZ' për hetim dhe gjykim në SPAK dhe Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO). Jashtë dyerve të gjykatës Balla tha se dëshmitari kyç Nuel Kalaj nuk është marrë në pyetje, dhe Prokuroria e Tiranës është mjaftuar me një letërp porosi të dërguar në Kosovë, dhe se çështja nuk mund të mbyllet për shkak se personi nuk gjendet.
"Kemi të bëjmë me disa vepra penale një pjesë e të cilave që nuk mund të jetë më objekt i hetimit dhe gjykimit nga Prokuroria dhe Gjykata e Tiranës, por në SPAK dhe GJKKO, e për pasojë unë si ish-kryetar i atij komisioni jam sot në Gjykatë me përfaqësuesit e Kuvendit. Të gjendur në këto kushte ku nuk janë bërë hetime dhe nuk është marrë në pyetje dëshmitari kyc Nuel Kalaj i cila ka tërhequr në ditën për diell 6 mln euro. Ai nuk është marrë fare në pyetje. Kjo nuk mund të jetë më një çështje që gjykohet nga Gjykata e Tiranës. Kërkesa jonë i është paraqitur gjyqtarit. 2020 duhet të nisë në GJKKO. Prokuroria nuk ka kryer asnjë veprim hetimor. Nuk mund të mjaftohet me një letër porosi në Kosovë, dhe të mbyllet çështja se ky person nuk gjendet. Ai është person me dalje publike në Kosovë. Në këto kushte kjo çështje nuk mund të mbyllet. Bëhet fjalë për të vetmen çështje kur Kuvendi ka dalë me një vendim dhe ashti si parashikon ligji i është dorëzuar Prokurorit të Përgjithshëm dhe sot me ndryshimet e reja duhet t'i takojë GjKKO-së. Reforma në Drejtësi ka garantuar se në Shqipëri të kemi një Gjykatë dhe Prokurori funksionale", tha Balla.
Kerkesa e Kuvendit te Shqiperise
Kuvendi i Shqipërisë me vendimin nr.36 ka miratuar raportin e Komisionit Hetimor Parlamentar dhe dërgimin e këtij raporti në Prokurori për fillimin e çështjes penale.
Komisioni Hetimor i Kuvendit, ka arritur në përfundimin se një sërë zyrtarësh të lartë të shtetit shqiptar gjatë viteve 2005-2013, duke qenë persona që ushtronin funksionet më të larta publike me veprime aktive dhe mosveprime, kanë synuar dhe realizuar ardhjen e pasojave të kundraligjshme gjatë procedurave të privatizimit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, negocim të marrëveshjes së shitjes së aksioneve, miratuar me ligjin 10116 datë 23.04.2009”Për miratimin e kontratës së shitjes së 76% të aksioneve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) sh.a ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, tregtisë dhe Energjitikës së Republikës së Shqipërisë dhe CEZ a.s-së, si edhe evidentimin e efekteve negative financiare të shkaktuara nga ndjekja e zbatimi i kësaj marrëveshje “
Çështja hetimore nr.7340/2017, për të cilën është depozituar kërkesë për pushim lidhet me hetimin e “ shpërdorimin e detyrës “të funksionarëve të lartë të shtetit shqiptar që kanë ndjekur procedurat për privatizimin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes OSSH sh.a si dhe atë të “ ushtrimit dhe ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike “ dhe’ pastrimit të produkteve të veprës penale” parashikuar nga nenet 248, 245/1 dhe 287 të Kodit Penal.
Në nenit 75 të Kodit të Procedurës Penale shkronja” a “ vepra penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike “ parashikuar nga neni 245/1 është vepër penalë në kompetencë të Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Vepra penale e” shpërdorimit të detyrës” për të cilën Kuvendi ka depozituar kallëzimin në prokurori nga ish funksionare sipas shkronjës “ç“ të nenin 75 të Kodit të Procedurës Penale është në kompetencë të Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Më datë 19.12.2019 , ka filluar funksionin Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e cila ka kompetencën për të gjykuar funksionarët e lartë apo veprat penale për të cilën është depozituar kallëzimi penal nga Kuvendi.
Në këto rrethana kërkojmë :Shpalljen e moskompetencën të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë .
Hetimi për privatizimin e kompanisë “Cez-Albania” ka mbetur në vend numëro. Kjo pasi një ndër detyrat që ka caktuar gjykata e Tiranës,është pyetja e biznesmenit nga Kosova Nuel Kalaj. Mirëpo pas dështimit të letër porosisë së parë të dërguar në Kosovë me qëllim pyetjen e këtij biznesmeni, që ka luajtur rolin e ndërmjetësit mes kompanisë “Cez-Praga” dhe qeverisë Shqiptare, prokuroria e Tiranës, i është drejtuar me një kërkesë të dytë palës kosovare, duke kërkuar marrjen në pyetje të Nuel Kalaj. Letër porosia i është drejtuar sërish prokurorisë së Prishtinës, duke i kërkuar kësaj të fundit të lokalizojë, shoqërojë në polici ose prokurori dhe të marrë në pyetje Nuel Kalaj, pyetje këto që janë përgatitur nga grupi i prokurorëve në Tiranë. Disa muaj më parë pala Kosovare ktheu një përgjigje të thatë në adresë të prokurorisë Shqiptare, duke pohuar se: 'nuk jemi në gjendje ta gjejmë Nuel Kalaj, kur ta lokalizojmë do realizojmë dhe intervistimin e tij për pyetjet që ju interesoheni'. Nisur nga kjo përgjigje, hetimi i prokurorisë për këtë çështje ka mbetur në udhëkryq, pasi pyetja e Nuel Kalaj, ka qenë një nga detyrat kryesore që gjykata e Tiranës i kishte caktuar prokurorisë.