Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka reaguar lidhur me protestën që po zhvillohet prej 26 ditësh në Tiranë, duke shprehur shqetësimin e tij për pasojat që, sipas tij, këto zhvillime mund të kenë për Shqipërinë.
Gjatë një takimi partiak Ahmeti vlerësoi rolin historik të Shqipërisë për shqiptarët në rajon, veçanërisht për Kosovën, duke theksuar se vendi ka qenë një faktor kyç në proceset e lirisë dhe shtetformimit të saj.
“Ka ca ngjarje, zhvillime edhe në Shqipëri. Ai është vend ku ne na kanë ndihmuar. Shqipëria ka strehuar Kosovën. Shqipëria është pjesë e pandarë e lirisë së Kosovës. Pa ndihmën, pa mjetet e Shqipërisë, Kosova nuk do ishte Kosova që është sot. Prandaj, me dhimbje po i përcjellim gjërat. Ne e shohim që këtu Shqipëria, nga këto protesta që nuk dihet ku e kanë kokën, merr dy goditje. Goditje të forta.
Industria kryesore e Shqipërisë është turizmi. Goditet tek turizmi. Nga doli fushata e parë? Nga Greqia, sepse turizmi po i rrezikohet nga Shqipëria, po i rrezikohet Greqisë. Që një shtet fqinj s’bën me menduar kështu për fqinjin e vet, po ja që ka ndodhur, që deklarata e parë dhe reagimet e para erdhën nga Greqia”, tha Ali Ahmeti.
Ai shtoi se protestat po i shkaktojnë vendit “dy goditje të forta”, duke veçuar ndikimin që ato mund të kenë në turizëm dhe ekonomi.
“Kush u bë zëdhënësi i parë i kësaj fushate? Në Beograd? I njëjti që bën fushatën e protestave në Serbi, bën fushatën për protestat në Shqipëri. Dikush mund të ngrihet dhe të thotë: Ali Ahmeti po mbron Edi Ramën. Jo, Ali Ahmeti mbron Shqipërinë dhe i dhimbet Shqipëria.
Po goditet. Po goditet dega kryesore e industrisë, turizmi; dega kryesore, investimet e huaja dhe vendore. Mos kujtoni që nuk ka pasoja për investitorët vendorë, e mos flasim më për të huaj. Se asnjë investitor vendor nuk rrezikon kapitalin e vet aty ku ka pasiguri.
Dhe kush tenton pasigurinë ta krijojë në Shqipëri? Armiqtë e kombit shqiptar. Unë nuk them që këta kanë dalë në shesh aty, janë armiq, po kanë rënë në grackën e armiqve, pa analizuar dhe pa e studiuar mirë pasojat që i shkaktojnë kombit, jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë”, përfundoi ai.
Komente











