TIRANE- I nxehti afrikan këtë vit do të mbërrijë në vendin tonë më shpejt se sa vitet e kaluara. Sipas meteorologëve, shqiptarët duhet të përgatitet që këtë javë të përballojnë një valë të të nxehtit afrikan, i cili do të pushtojë vendin tonë, duke u zhvendosur nga brigjet e Italisë. Meteorologët parashikojnë që dita e sotme dhe e nesërme të pësojë rritje me 3-4 gradë, duke bërë që temperaturat të arrijnë deri në 36-37 gradë celcius.

 Po sipas parashikimeve të motit, të enjten dhe të premten, temperaturat nuk do të kenë ndryshime, pra do të rrinë në të njëjtat vlera, 36-37 gradë celsius, duke pësuar sërish një rritje prej 2 gradësh në fundjavë, ku parashikohet që zhiva e termometrit të ngjitet deri në 40 gradë celsius, që për meteorologët, duke parasysh faktin që jemi vetëm në muajin qershor, janë temperatura përvëluese.

“Sigurisht që duke pasur parasysh që jemi në muajin qershor, këto janë temperatura shumë të larta. Ndaj mund të themi që kjo javë shënon dhe episodin e parë të të nxehtit afrikan për këtë verë”, - na thonë meteorologët. Por sipas tyre, parashikime optimiste priten për javën që vjen, pasi moti do të freskohet disi.

 “Temperaturat do të pësojnë një ulje të lehtë në fillim të javës që vjen duke bërë që ata të mos kalojnë kufijtë e gradëve për muajin qershor dhe moti do të freskohet disi”, - na shpjegojnë specialistët e motit që nuk kursejnë këshillat për të shmangur daljen në pikun e vapës.
(sg/shqiptarja.com)