Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi sot të mos e ndryshojë dënimin ndaj Dritan Lleshit, i cili në qershor të vitit të shkuar u shpall fajtor për premtimin e një vendi pune në shtet kundrejt parave. Lleshi kishte kërkuar nga gjykata rishikim të çështjes së tij, por gjykata la në fuqi vendimin e mëparshëm që e dënon atë në mënyrë përfundimtare me 8 muaj burg. Për më tepër, Lleshi duhet të paguajë edhe shpenzimet procedurale të çështjes që janë rreth 40 mijë lekë.
Fillimisht Lleshi u dënua me 1 vit burg, por për shkak se çështja u gjykua me procedurë të shkurtuar, dënimi iu ul në 8 muaj.
Lleshi do ta vuajë dënimin vetëm pasi vendimi të bëhet i formës së prerë dhe do të dërgohet në një burg të zakonshëm për të rritur. Ai do të duhet gjithashtu të paguajë shpenzimet e gjyqit,
Një telefon celular që ishte marrë si provë gjatë hetimit do t’i kthehet pronarit të tij.
“Aparati telefonik celular i markës “Samsung Galaxy J3 Eclipse”, me ngjyrë të zezë, me IMEI ***, t’i kthehet shtetasit A.N., konform nenit 190/1 gërma “ç” të K.Pr.Penale” thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Sipas vendimit të dhënë nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Dritan Lleshi u dënua pasi në vitin 2019 kishte premtuar një vend pune si inspektor mjedisi në Fier kundrejt parave.
Ai i kishte thënë një gruaje se mund ta punësonte djalin e saj në shtet, nëse ajo paguante 400 mijë lekë. Fillimisht kishte marrë 200 mijë lekë kapar, duke thënë se punësimi do të bëhej në qershor, e më pas e kishte shtyrë për në shtator 2019.
Lleshi pretendonte se kishte lidhje në Ministrinë e Brendshme dhe se përmes tyre mund të ndikonte që djali të fitonte konkursin për inspektor mjedisi në Fier ose Lushnjë, por punësimi nuk u realizua.
Komente




