Jetojmë në një botë të shtrembëruar edhe vizualisht, dhe rasti i Groenlandës është ilustrimi më i qartë. Ishulli i akullt, edhe pse është më i madhi në botë, me rreth 2.2 milionë kilometra katrorë, është në realitet 13 herë më i vogël se Afrika dhe afërsisht sa Republika Demokratike e Kongos. Megjithatë, në shumicën e hartave që shohim çdo ditë, Groenlanda shfaqet pothuajse me të njëjtat përmasa si kontinenti afrikan.

Shkaku kryesor i këtij iluzioni është projeksioni i Mercatorit, një mënyrë paraqitjeje e globit në plan të sheshtë, ku vendet pranë poleve “zmadhohen”, ndërsa ato pranë ekuatorit “tkurren”. Ky shtrembërim favorizon Europën dhe Amerikën e Veriut, ndërsa minimizon vizualisht Afrikën, Amerikën Qendrore dhe Azinë Jugore. Edhe pse këto harta u krijuan në vitin 1569 për të ndihmuar navigatorët të vizatonin rrugë detare të drejta, ato vazhdojnë të përdoren edhe sot nga institucione shtetërore dhe platforma digjitale.

Ky deformim vizual ka nxitur edhe reagime politike. Vendet afrikane kanë protestuar zyrtarisht, duke theksuar se nuk bëhet fjalë vetëm për një çështje teknike, por për një perceptim ideologjik. Sipas tyre, imazhi i shtrembëruar krijon idenë e Afrikës si një kontinent “anësor”, çka mund të ndikojë në media, arsim dhe politikë.

Si alternativë, Bashkimi Afrikan ka kërkuar përdorimin e hartës “Equal Earth” (Toka e Barabartë) e prezantuar në vitin 2018 nga kartografi Tom Patterson. Ky projeksion synon të ruajë përmasat reale të kontinenteve dhe të “japë drejtësi” gjeografike, duke braktisur formën drejtkëndore të Mercatorit për një planisferë ovale.

Projeksioni Equal Earth

Viktimë e këtij perceptimi të gabuar ka qenë edhe president Donald Trump, i cili në një intervistë ka deklaruar se Groenlanda i dukej “gjigante” dhe për këtë arsye e shihte si territor me interes për Shtetet e Bashkuara. Një deklaratë që pasqyron pikërisht ndikimin e hartave të shtrembëruara në mënyrën se si kuptohet bota.

Sot, kur Groenlanda është kthyer në një pikë kyçe të agjendës gjeopolitike, rikthimi i përmasave të saj reale merr një domethënie të re. Ishulli është rreth një e treta e SHBA-ve, 20 herë më i madh se Danimarka dhe ka vetëm 56 mijë banorë, me dendësinë më të ulët të popullsisë në botë.

Ndërkohë, ndryshimet klimatike po e ndryshojnë realisht gjeografinë. Shkrirja e akujve në Groenlandë, që mban masën e dytë më të madhe të ujit të ëmbël në botë pas Antarktidës, mund të rrisë nivelin e detit me rreth 7 metra. Pikërisht kjo shkrirje ka hapur rrugë të reja tregtare në Arktik, duke e vendosur ishullin në qendër të rivalitetit mes fuqive të mëdha globale./LaRepubblica