Kim Kardashian ka fituar një shumë të madhe parash nga një burrë që e kishte paditur në gjykatë që humbi betejën ligjore kundër saj.

Sipas dokumenteve gjyqësore të siguruara nga TMZ, biznesmenia përfitoi rreth 167 mijë dollarë për shpenzimet ligjore, nga 186 mijë dollarë që kishte kërkuar fillimisht, pasi arriti ta mbyllte me sukses padinë e ngritur nga Ivan Cantu.

Gjithçka nisi pasi Kim publikoi në rrjetet sociale fotografinë e gabuar të Ivan Cantut, në kohën kur po përpiqej të mbështeste një tjetër person me të njëjtin emër, një të dënuar me vdekje për të cilin ajo po bënte fushatë publike.

Kim tha në gjykatë se bëhej fjalë për “një gabim”, të cilin e korrigjoi menjëherë sapo e kuptoi. Nga ana tjetër, Cantu ka pretenduar se publikimi i fotografisë së tij i kishte shkaktuar “dëme të mëdha” në jetën personale dhe profesionale.

Në fund, gjykatësi vendosi në favor të yllit televiziv dhe hodhi poshtë pretendimet e Cantut. Pas kësaj, Kardashian kërkoi që t’i rimbursoheshin shpenzimet për avokatët.

Babai i dy fëmijëve kishte deklaruar në gjykatë se pagesa e një shume kaq të madhe ndaj Kimit do ta “shkatërronte financiarisht”, por gjykatësi nuk u bind nga argumentet e tij.