Kim Kardashian ka zbuluar historinë e veçantë pas blerjes së një pikture të piktorit të famshëm francez Claude Monet. Frymëzimi? Një batutë nga filmi kult i vitit 1995, “Clueless”, një prej filmave të saj të preferuar.

Gjithçka lidhet me një shprehje të personazhit Cher Horowitz, interpretuar nga Alicia Silverstone: “Është një Monet i vërtetë. Nga larg duket në rregull, por nga afër është një rrëmujë e madhe”.

Kardashian ka treguar në biografinë e saj “Citizen Kim”, shkruar nga Jonathan Van Meter, se pikërisht kjo batutë e frymëzoi të blinte një vepër të artistit. Bëhet fjalë për blerjen e saj të parë personale të rëndësishme në botën e artit.

Ankandi u zhvillua në Romë, rreth vitit 2021, kur ajo ndodhej në qytet së bashku me Kim Jones, asokohe drejtor artistik në Fendi. Piktura, në nuanca gri dhe me një peizazh, i kishte tërhequr menjëherë vëmendjen pasi Kardashian dëshironte ta vendoste në shtëpinë e saj në Palm Springs, të projektuar nga arkitekti japonez Tadao Ando.

“Vazhdoja të bëja oferta dhe të rrisja shumën. Ishte ankandi im i parë dhe nuk e dija mirë si funksiononte”, ka rrëfyer ajo. E inkurajuar edhe nga Kim Jones, i cili i tha “Merre!”, Kardashian vazhdoi garën dhe arriti ta fitonte pikturën, duke tejkaluar buxhetin që kishte parashikuar.

Kështu një batutë e një filmi që ajo e adhuron prej vitesh u kthye në frymëzim për blerjen e një vepre të Claude Monet.