SARANDË- Administratori i “Orange Club” në Sarandë, Ermal Fataj, i arrestuar pas vdekjes së 33-vjeçarit Igli Gjoca nga kontakti me korrentin, mohoi para grupit hetimor që ta kenë punësuar Gjocën.
40-vjeçari deklaroi se Igli Gjoca ka shkuar në lokalin ku ndodhi ngjarja e rëndë pasditen e 9 prillit për të parë punimet që po kryheshin, nisur edhe nga miqësia që kishte me pronarin. Sipas deklarimeve të tij, Igli Gjoca nuk ishte i punësuar, pasi ai punonte në servisin e tij, por ka shkuar për të dhënë mendim për lyerjet dhe punimet që kryheshin në lokal.
Më herët, i ndjeri Igli Gjoca ka punuar si kamarier në Orange deri përpara se të hapte servisin e tij. Dyshimet janë se ishte punësuar nga clubi për lyerjen e skenës, për t’u bërë gati për sezonin. Policia ka ngritur akuzë për punësim në të zezë dhe shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë, pavarësisht se administratori e mohon.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente









