FIER- Një ditë pas denoncimit të Report Tv për ndotjen mjedisore në Parkun Kombëtar të Vjosës nga kompania e naftës ‘Albpetrol, policia ka nisur hetimet për 4 punonjës. Prej gjashtë ditësh tubacioni që bën transmetimin e naftës nga zona naftëmbajtëse e Drenovës drejt qendrës së grumbullimit është çarë për shkak të amortizimit duke bërë që mbetjet hidrokarbure të derdhen në përroin e Gorishovës dhe kanë përfunduar në lumin Vjosë. Punonjësit e vënë në hetim dyshohet se nuk kanë marrë masat e nevojshme për riparimin e këtij tubacioni dhe për pasojë u shkaktua edhe katastrofa mjedisore.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike të DVP Fier referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal ndaj shtetasve Z. T., 59 vjeç, A. Z., 57 vjeç, G. B., 52 vjeç dhe G. N., 52 vjeç, punonjës të një kompanie për nxjerrjen e naftës. Këta shtetas dyshohet se nuk kanë marrë masat e nevojshme për riparimin e një linje të dëmtuar të tubacionit të nxjerrjes së naftës, duke shkaktuar ndotje të mjedisit dhe lumit Vjosa”, informoi policia.
Burime bëjnë me dije se linja e dëmtuar shërben për transportimin e naftës nga puset e Drenovës drejt qendrës së grumbullimit dhe ndodhet në një terren të vështirë, në zonë pyjore. Sipas hetimeve, punonjësit duhet të kishin ndërhyrë në kohë për mirëmbajtjen dhe riparimin e saj, përpara se amortizimi të çonte në çarjen e tubacionit dhe ndotjen masive të zonës.
Në zonën naftëmbajtëse të Drenovës janë 20 puse aktivë. Punonjësit e kompanisë “Alpetrol” morën masa vetëm dje duke vendosur prita në mënyrë që mbetjet hidrokarbure të mos vazhdojnë te depërtojnë në lumin Vjosë.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente










