MIRDITE- Tre fëmijë, vëllezër, më i vogli 6 vjeç dhe më i madhi 14 vjeç, janë plagosur aksidentalisht nga një shpërthim i ndodhur paraditen e sotme në fshatin Bardhaj, të komunës Selitë të Mirditës.

Për momentin nuk dihen detajet si mund të ketë ndodhur shpërthimi. Sipas policisë mendohet se shpërthimi ka ndodhur nga një granatë. Fëmijët mund të kenë gjetur granatën dhe të kenë lozur me të pa ditur rrezikun që mund ti ndodhte. Ndërkohë që familjarët thonë se shpërthimi mund të jetë nga një bombul gazi.

Fëmijët janë transportuar me helikopter drejt Spitalit Ushtarak.  Sipas të dhënave të para fëmijët e plagosur janë të familjes së Flamur Çuni janë M.Çuni 14 vjeç, B. Çuni 13 vjeç dhe J.Çuni 6 vjec. Fshati Bardhaj ndodhet 40 km rrugë larg Rrëshenit.

FURRIKU: SHPERTHEU GRANATE OSE PREDHE
Ora 13: 30 Drejtori i Policisë së Lezhës Muharrem Furriku në një prononcim telefonik për tv A1 Report i qëndron pistës së hetimit se mund të ketë shpërthyer një granatë apo predhë. Sipas Furrikut gjëndja e familjarëve është tepër e tronditur.
“Ata nuk janë të qartë. Po presim përfundimin e ekspertimit xhenier për të përcaktuar se çfarë ka ndodhur vërtetë. Nuk është e vërtetë që mblidhet hekurishte, pasi atjer nuk ka hekurishte”- deklaroi Furriku. Ai sqaroi se fshati Bardhaj ndodhet në komunën Selitë rreth 40 km nga qendra e Rrëshenit.

FEMIJET DEMTIME NE TRUP E FYTYRE
Ora 12: 30 Gazetari i A1 Report nga Spitali ushtarak konfirmon se gjëndja e fëmijëve është e rëndë por jashtë rrezikut për jetën. Fëmijët kanë dëmtime të rënda në fytyrë e trup. Njëri prej fëmijëve, ka nevojë urgjente për gjak. Ndërkohë që më i vogli, 6 vjeç nuk ka pësuar shumë dëmtime sa dy vëllezërit e tij. Ai ka pësuar dëmtime kryesisht në fytyrë.

FEMIJET MBLIDHNIN HEKURISHTE  
Ora 12: 27 Familja mblidhte hekurishte për t'i shitur më pas për skrap. Prindërit treguan për TV A1 Report se fëmijët kishin mbledhur hekurishtet dhe më pas i vendosnin në oborr. Pikërisht këtu prindërit mendojnë se fëmijët mund të kenë gjetur dhe bombulën e gazit. Nga ana e Drejtorit të policisë së Lezhës nuk përjashtohet ende pista e shpërthimit të një granate, por shton se ekspertiza do të zbardhë të gjitha detajet.

PRINDERIT: MUND T'I KETE SHPERTHYER BOMBUL GAZI 
Ora 11: 36 Prindërit që ndodhen në spital thonë se është ende e paqartë nëse fëmijëve u ka shpërthyer një bombul gazi e vogël, apo granatë dore. Në një prononcim për tv A1Report, prindërit e fëmijve që ndodhen në Spitalin Ushtarak thonë se  këtyre të fundit mund t'i ketë shpërthyer një bombul gazi.

2 FEMIJE I NENSHTROHEN OPERACIONIT
Ora 11: 26 Dy fëmijët 13 dhe 10 vjeç ndodhet në gjendje të rëndë dhe aktualisht ndodhen në sallën e operacionit, në spital ushtarak. Ndërkohë që më i vogli 6 vjeçar sapo ka mbërritur në spital.

(sg/shqiptarja.com)