Gjendja shëndetësore e liderit historik të PS dhe ish-kryeministrit Fatos Nano është stabël. Dy ditë pas ndërhyrjes kirurgjikale për t'i lehtësuar frymëmarrjen, burime spitalore bëjnë me dije se gjendja shëndetësore e Nanos është përmirësuar dhe parametrat jetësorë të ish-kryeministrit socialist janë të qëndrueshme se ditët më parë. Ish-kryeministri është i shtruar në spital prej 11 ditësh.

Për t’i lehtësuar furnizimin me oksigjen, mjekët i kanë bërë hapje kirurgjikale të trakesë ku kanë vendosur një tub plastik në fyt. Nano vuan nga një sëmundje Pulmonare Obstruktive Kronike e quajtur ndryshe si SPOK. Kjo patologji që prek mushkëritë dhe karakterizohet nga një ngushtim i rrugëve respiratore me pasojë kryesore vështirësinë e furnizimit me oksigjen.

Nano u shoqërua me ambulancë nga shtëpia e tij për në spital të enjten e 24 gushtit 2023, pasi kishte pasur probleme me frymëmarrjen. Ish kryeministri ka pasur probleme me shëndetin edhe dy vjet më parë. Teksa lideri historik i PS-së po kalon ditë të vështira në spital, ai u nderua nga Kryeministri Edi Rama me medaljen e mirënjohjes publike. 

Nano është një prej personazhëve më të rëndësishëm të Shqipërisë pluraliste. Ai ka qenë katër herë kryeministër i vendit, i dyti në historinë 100 vjeçare të shtetit shqiptar pas Mehmet Shehut. Më konkretisht, në qeverinë që përgatiti zgjedhjet pluraliste të vitit 1991, në qeverinë e fituar nga Partia e Punës për tre muaj më 1992, në qeverinë e vitit 1997 dhe në qeverinë e vitit 2002 deri në 2005-ën. Nano ka qenë kryetar i PS-së për 13 vjet. Ka dhënë dorëheqjen tri herë si kryeministër dhe dy herë si kryetar i Partisë Socialiste, duke themeluar “institucionin” e dorëheqjes në Shqipëri, por edhe duke vënë një rekord në këtë fushë.